Tirana pa trajner pëson humbjen e dytë radhazi, mposhtet minimalisht nga Laçi (VIDEO)
Pas disfatës në derbi ndaj Partizanit, Tirana është mposhtur për të dytën ndeshje radhazi. Këtë herë bardheblutë pësuan një disfatë në shtëpi nga Laçi me rezultatin 0-1. Ndeshja ishte e karakterizuar me raste nga të dyja skuadrat, megjithatë kurbinasit u treguan më të zotë dhe në pjesën e dytë gjetën golin pas një ekzekutimi mjeshtëror të Mentor Mazrekaj, i cili mposhti portierin Bekaj që deri në atë moment kishte qenë vendimtar.

Në minutat e mbetura, vendasit provuan të ndryshonin fatet e ndeshjes duke hedhur në fushë edhe sulmuesin finlandez Tim Vairinen, mirëpo kurbinasit mbrojtën me fanatizëm, madje në minutën e 86 shënuan edhe golin e dytë. Kështu, falë këtij trepikëshi ngjiten në kuotën e 24 pikëve në vend të katërt.

Ndërkohë, nga ana tjetër, Tirana duket se ka “larë duart” në luftën për të mbrojtur titullin, ndërsa edhe Europa vështirësohet shumë, pasi tashmë kryeqytetasit mbeten në vend të gjashtë me 20 pikë. Për t’u theksuar se në këtë sfidë, Tirana u drejtua nga Tefik Osmani duke qenë se trajneri Nevil Dede u largua para ndeshjes pas mosmarrëveshjeve për formacionin me presidentin Refik Halili, duke e mbyllur me shumë mundësi në një mënyrë të shëmtuar aventurën me bardheblutë.

Shtuar më 25/01/2021, ora 15:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori