Tirana u mposht nga Kukësi, Halili: Nuk kam frikë për titullin
Presidenti i Tiranës, Refik Halili, në një dalje për mediat u shfaq mjaft i qetë dhe theksoi se beson maksimalisht që futbollistët e tij pas humbjes me Kukësin do të dinë të marrin pikët e duhura për të fituar titullin.

Sa e rrezikon kampionatin humbja me Kukësin?

Është humbje që nuk e donim, por Kukësi e meritoi fitoren. Kukësi shfrytëzoi mirë rastet, ndërsa ne nuk e bëmë, por vazhdojmë të ecim përpara.


Ju vjen keq që nuk do ta festoni titullin as ndaj Partizanit në derbi?

E rëndësishme është që ne të ecim para dhe t’i marrim ndeshjet me radhë deri në arritjen e objektivit, që është titulli kampion.

A mendoni se ndikoi ajo çfarë ndodhi në Ballsh?

Të them të drejtën, lojtarët e formacionit të parë nuk luajtën fare në Ballsh, ndaj nuk besoj se ka ndikuar. Ne u kemi qëndruar pranë lojtarëve dhe madje as premio nuk u mungoi, pasi vetëm një herë nuk vendosëm premio në Durrës dhe e humbëm ndeshjen. Nuk kanë pasur asnjë lloj presioni, ndaj tani nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se të shohim përpara.

Sa kompromentohet ecuria?

Nuk kam asnjë frikë dhe jam i bindur që vetë këta lojtarë do të dinë të reagojnë dhe të marrin pikët që na duhen për të fituar titullin.
Shtuar më 07/07/2020, ora 11:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori