Tirana zhgënjen në Ballsh, mposhtet 3-1 nga Bylisi kryesues (VIDEO)










Zhgënjen sërish Tirana, këtë herë në transfertën mallakastriote ndaj Bylisit, ku u mposht me rezultatin 3-1, humbje kjo që trondit sërish pozitat e trajnerit Ardian Mema në stolin e skuadrës bardheblu.

Ishte pikërisht mbrojtësi që sezonin e kaluar luajti me Tiranën, Jurgen Goxhaj, që kaloi në avantazh mallakastriotët në minutën e katërt, pasi u la i lirë në zonë gjatë zhvillimeve të një goditjeje standarde.

Vetëm 20 minuta më vonë ishte mesfushori i kryeqytetasve Idriz Batha që gaboi një top në një zonë të rrezikshme dhe sulmuesi Guindo u nis i vetëm me portierin Bakaj, të cilin e dribloi me lehtësi dhe shënoi edhe golin e dytë.

Pjesa e parë përfundoi me humbjen e bardhebluve, ndërsa në fillim të pjesës së dytë trajneri Mema hodhi në fushë edhe sulmuesin Ngo’o e mbrojtësin anësor Albi Doka për të freskuar ekipin.

Ishte pikërisht një zbritje e Ngo’o nga krahu i djathtë i sul;mit, që solli edhe golin që rihapi takimin për bardheblutë, pasi anglezi krosoi saktë në zonë për sulmuesin tjetër Dunga dhe ky i fundit me portën e boshatisur shtyu topin në rrjetë.

Megjithatë kur bardheblutë rigjetën besimin dhe entuziazmin për të marrë të paktën një pikë, ishte i sapofuturi në fushë, argjentinasi Celis që përfitoi nga një top i rrëmbyer mbi vijën e 16 metrave dhe lëshoi një predhë me të djathtën, duke thyer për herë të tretë portierin Bakaj.

Ky gol komplikoi gjithçka për Tiranën, që në minutat në vijim u pa shumë e paqartë dhe e rrëmujshme në ndërtimin e aksioneve sulmuese, ndërsa edhe në ato pak raste që arriti të shkojë rrezikshëm, gjeti në gatishmëri portierin Hidi.

Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit kryeqytetas, me në krye presidentin Refik Halili, braktisën stadiumin “Adush Muça” të Ballshit rreth 10 minuta para fundit, si për të dëshmuar zhgënjimin dhe mungesën e besimit te një përmbysje e ndeshjes.

Bylisi merr kështu përkohësisht kreun e renditjes me 16 pikë të grumbulluara në fazën e parë, ndërsa Tirana mbetet në kuotën e 14 pikëve, një më pak se Teuta e vendit të dytë dhe aq sa kanë edhe Kukësi e Partizani.
Shtuar më 23/10/2019, ora 15:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori