Tiranës iu bllokua merkatoja, Partizani gati t'i "rrëmbejë" Seferin
Partizani pranë Taulant Seferit. Të kuqtë tashmë me dritën jeshile për të kryer lëvizje, kërkojnë të përfitojnë menjëherë nga bllokimi i merkatos së Tiranës duke u rrëmbyer bardhebluve një futbollist me të cilin drejtuesit e kampionëve ishin dakordësuar madje duke e publikuar edhe në faqen zyrtare të klubit.

SuperSport mëson nga burime pranë lojtarit se kontaktet mes Partizanit dhe përfaqësuesit të futbollistit kanë nisur, madje ka patur bisedime edhe mes klubitYoung Boys, që zotëron kartonin e 24-vjeçarit dhe drejtuesve të 16 herë kampionëve të Shqipërisë.

Formula që punohet është e njëjta si në rastin e transferimit të munguar tek Tirana, më konkretisht huazim deri në fund të sezonit, teksa pagesa mund të ndahet mes klubit zviceran dhe atij shqiptar. Në verë përfundon edhe kontrata e Seferit me Young Boys dhe nëse palët gjejnë akordin, atëherë nuk përjashtohet edhe nënshkrimi përfundimtar me të kuqtë në merkaton verës, por kjo do të varej nga pjesëmarrja apo jo në Europë e "demave".

Futbollisti i kombëtares shqiptare është në kërkim të minutave duke qënë se këtë sezon nuk është aktivizuar për asnjë sekondë në ndeshje zyrtare me Young Boys dhe Shqipëria duket se është destinacioni i preferuar i djaloshit nga Kumanova, pavarësisht se interes për të ka shfaqur edhe Shkëndija e Tetovës.

Për momentin pranë tij ndodhet pikërisht Partizani që me rihapjen e merkatos ka siguruar shërbimet e Stenio Junior. Ish lojtari i Shkëndijës së Tetovës pritet t’u bashkohet "të kuqve" ditën e hënë, për të nisur stërvitjen nën urdhrat e Ilir Dajës.
Shtuar më 06/01/2021, ora 13:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori