Titulli i 8 radhazi askush si Juventusi në histori
Juventusi fiton titullin e tetë radhazi, duke vendosur jo vetëm një rekord italian, por edhe rekordin absolut në Europë, nëse flasim vetëm për pesë ligat më të mëdha të kontinentit. Me suksesin e djeshëm, “Zonja e Vjetër” përmirëson rekordin e Lionit, që fitoi 7 tituj radhazi në Francës mes viteve 2001-2008.

Juventusi fitoi titullin e tetë radhazi pesë javë nga fundi i kampionatit. Asnjë skuadër nuk ka mundur që ta bëjë këtë gjë që nga periudha që fitorja vlen 3 pikë (sezoni 1994-1995), por barazon rekordin e Interit 2006-2007.

Juventusi ka fituar 28 nga 33 ndeshjet e Serisë A deri më tani. Skuadra e Alegrit barazon rekordin e Antonio Kontes më 2013- 2014 (po 28 fitore), por mund ta thyejë bindshëm në pesë javët e mbetura.

Juventusi ka grumbulluar 87 pikë në 33 ndeshjet e Serisë A aktuale. Të njëjtën kuotë kanë kapur edhe në sezonin 2013- 2014.

– Nga 1 dhjetori 2017 deri më 3 mars 2019, Juventusi nuk humbi asnjë prej 26 transfertave të luajtura, duke vendosur një rekord të ri absolut në Serinë A.

Juventusi ka grumbulluar 101 pikë në vitin diellor 2018, në Serinë A, duke barazuar rekordin e Torinos së vitit 1948, nëse llogarisim se fitorja në ato vite vlente 3 pikë.

Juventusi grumbulloi 53 pikë në fazën e parë të këtij kampionati, si asnjë skuadër tjetër në historinë e Serisë A. Juventusi ka fituar 32 ndeshje në kampionat, në vitin diellor 2018. Vetëm bardhezinjtë kishin mundur të bënin më mirë më parë, me 33 fitore, në vitin diellor 2016,shkruan Panorma Sport.

Juventusi ka humbur vetëm një ndeshje në 2018-ën në Serinë A (kundër Napolit në prill). Asnjë skuadër nuk kishte mundur të bënte më mirë sesa vetë bardhezinjtë, që mbajnë rekordin me zero humbje në vitin diellor 2006.

– Duke mos humbur asnjë ndeshje në transfertë në vitin 2018, ky Juventus i Alegrit është një nga nëntë skuadrat që kanë mundur të bëjnë një arritje të tillë në historinë e Serisë A.
Shtuar më 21/04/2019, ora 09:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori