Tjetër reagim në Instagram, Icardi bëhet enigmatik
Situata e Mauro Icardit te Interi vijon të bëhet gjithnjë e më enigmatike, pas vendimit të ditës së martë, të drejtuesve të klubit, për t’i hequr shiritin e kapitenit, si rrjedhojë e disa sjelljeve të pahijshme nga ana e tij dhe bashkëshortes menaxhere, Wanda Nara.

Sulmuesi refuzoi të udhëtojë me skuadrën në Vjenë, për t’u përballur me rapidin, ndërsa në përfundim të sfidës, theu heshtjen nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Instagram, ku kishte zgjedhur të citojë një thënie të Mark Twain.

“Më mirë mbaje gojën mbyllur dhe të mendojnë se je budalla, sesa të flasësh dhe të heqësh çdo dyshim që je i tillë”, shkruante Mauro mbrëmjen e djeshme, në një postim që shumë njerëz e lexuan si referencë ndaj fjalëve të Drejtorit Sportiv, Piero Ausilio.

Pas takimit të sotëm me drejtuesit e klubit dhe trajnerin Spalletti, u duk sikur u vendos qetësia, por sulmuesi zikaltër vendosi të thyejë heshtjen edhe njëherë, plot 24 orë pas statusit të mbrëmjes së kaluar, duke lëshuar një tjetër postimInstagram.

“Bëji konfuzë me heshtjen tënde dhe surprizoi me aksionet e tua”, shkruante mesfushori para pak minutash në Instagram, duke hedhur edhe një foto të trupit të tij, të mbuluar nga tatuazhet.

Aludimet janë të shumta dhe drejtuesit zikaltër vijojnë të këmbëngulin se negociatat për rinovimin e kontratës me Icardin do të vazhdojnë, por duket se lidhja e sulmuesit argjentinas me Interin është këputur me heqjen e shiritit dhe vështirë se do të mund të riparohen.

Tani as më optimisti nuk beson se sulmuesi do të vijojë të jetë pjesë e skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm, por shpresa e vetme e zikaltërve është që Icardi të japë më të mirën deri në fund të sezonit dhe të ndihmojë ekipin për t’u renditur në zonën Champions.
Shtuar më 16/02/2019, ora 09:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori