Tmerri ne Vankuver vazhdon!
Albeu.com
Aksidentet e rënda janë bërë karakteristikë e Olimpiadës Dimërore "Vancouver 2010". Gara e lëshimit në skijim alpin në konkurrencën e femrave, e mbajtur të mërkurën mbrëma, pati aksidente të shumta dhe mjaft të rënda.
Katër prej tyre ishin mjaft të rrezikshme, ku garueset u rrëzuan me shpejtësi prej 100 kilometrash në orë. Skitarja e njohur suedeze, Anja Paerson me një shpejtësi të madhe, mbi 100 kilometra në orë në kërcimin e fundit para përfundimit të garës u rrëzua. Ajo fluturoi 60 metra dhe u përplas përtokë me shpinë.
"Ka qenë shumë keq. Ajo ka mundur shumë lehtë të vdesë nga ai aksident", ka thënë babai i skitares Anders Paerson.
Në garën e lëshimit pati edhe aksidente të tjera të rënda. Ndër më të rëndat ishte ai i rumunes Edith Miklos. Rumunja u transportua me aeroplan në spital. Po ashtu mori dëmtim të rëndë të ligamenteve edhe francezja Marion Rolland.
"Ne kemi parë një garë fenomenale. Ka pasur incizime fenomenale televizive", ka thënë Peter Bosingeri, menaxher i Komitetit Organizativ të "Vancouver 2010" për skijim alpin, duke mos dashur të pranojë fajin.
"Nuk është nevoja që gjashtë persona të rrëzohen për të konstatuar se shtegu është i rrezikshëm. Natyrisht se është lëshim dhe është i rrezikshëm. Mirëpo, rreziqet duhet të minimizohen para se të shndërrohen në katastrofë", ka thënë Thomas Vonn, bashkëshorti i fitueses së medaljes së artë në lëshim, amerikanes Lindsey Wonn.
Organizatorët ende nuk kanë marrë mësim nga vdekja e sportistit gjeorgjian Nodar Kumaritashvili. Kumaritashvili 21-vjeçar, garues në sportin "luge" (lëshim individual me saja) doli nga shtegu me shpejtësi prej 144 kilometra në orë dhe u përplas me kokë për një shtyllë metalike. Ai ndërroi jetë në vend.
Shtigjet e garës në qendrën Whistler po i tmerrojnë sportistët. Madje në shtegun e garave me saja, gjatë stërvitjeve të së mërkurës në disiplinën Bobsleigh ndodhën tetë aksidente të rënda. Një australian u dërgua në spital.
"Siguria është prioritet. Federatat ndërkombëtare janë të ftuara që të veprojnë. Tetë aksidente në një stërvitje në 'bob' si të mërkurën janë të papranueshme", ka thënë zëvendëspresidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) Thomas Bach.
Federata Ndërkombëtare e disiplinës luge, pas vdekjes së gjeorgjianit Kumaritashvili, kishte marrë masa duke bërë që garat në të dy konkurrencat të startojnë nga pika më të ulëta, në mënyrë që shpejtësia të mos jetë aq e madhe. Po ashtu, edhe në skijim alpin u morën disa masa sigurie. Gjatë garës së super-kombinimit të femrave të enjten, në lëshim u bën disa ndryshime. Kërcimi i rrezikshëm në fund të shtegut u bë më i sigurt.
"Është tmerr se çfarë po ndodh këtu. Është një rrezik i lartë. Është dashur shumë më herët të merren masa e jo tash", ka thënë drejtori sportiv i Federatës Gjermane të Sporteve me Saja Thomas Schwab.
Të mërkurën pati pësuar lëndime edhe sllovenia në vrap me ski Petra Majdiq. Ajo u rrëzua në një greminë tre metra të thellë dhe theu katër brinj gjatë stërvitjeve. Mirëpo, ajo edhe me brirë të thyer doli në gara, arriti deri në finale dhe fitoi medaljen e bronztë.
Zërin kanë nisur ta ngrenë edhe skitarët. Ata po tmerrohen kur po futen në garë.


Haliloviq i 16-ti pas dy lëshimeve

Kosovari i vetëm në Olimpiadën Dimërore "Vancouver 2010", Mirsad (Michi) Haliloviq, pas dy lëshimeve në sportin e njohur si skeleton (lëshim me saj ulur me bark) renditet në pozitën e gjashtëmbëdhjetë me kohë të përgjithshme prej 1:46.96 minuta. Ai është 2.05 sekonda prapa liderit, letonezit Martins Dukurs. Haliloviq mbron ngjyrat e Gjermanisë. Haliloviq ka lindur në Gjermani në një familje nga Prishtina. Është nipi i trajnerit të basketbollit Vëllaznim Perani. Dy lëshimet e para të sportit skeleton janë mbajtur të enjten mbrëma. Dy finalet do të mbahen në orët e hershme të së shtunës.


Tabela e medaljeve të fituara

Ar Agj B
1. SHBA 6 5 7
2. Gjermania 4 4 3
3. Norvegjia 3 3 2
4. Kanadaja 3 3 1
5. Koreja e Jugut 3 2 0
6. Zvicra 3 0 1
7. Franca 2 1 4
8. Kina 2 1 1
9. Suedia 2 0 1
10. Austria 1 2 2
Shtuar më 20/02/2010, ora 17:29
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori