"Topi i Artë", Platini beson te Ribery
Mbështetje presidenciale për Franck Ribery në garën për Topin e Artë dhe jo nga një president dosido, por nga vetë shefi i UEFA-s. Michel Platini e këshilloi madje bashkëpatriotin e tij se që ta ketë të sigurtë çmimin prestigjioz të FIFA-s për lojtarin më të mirë, duhet që formën e mirë me Bayernin ta reflektojë edhe në kombëtaren franceze.

Vlejnë shumë këto këshilla për mesfushorin, duke patur parasysh faktin se presidenti i UEFA-s është i pari europian që e ka fituar 3 herë radhazi Topin e Artë në vitet kur luante me Juventusin.

"Franck Ribery u votua si lojtari më i mirë europian dhe në fakt qëndron mes më të mirëve të botës. Kjo do të thotë se ka shanse të nominohet për Topin e Artë, por atij i duhet që lojën e mirë që ka bërë me Bayernin ta përsërisë edhe me fanellën e kombëtares", u shpreh presidenti i UEFA-s.

Mbështetja e Platini për Ribery vjen në sinkron pak ditë pas deklaratave publike pro tij nga dy francezë të tjerë, legjenda Zinedine Zidane dhe mesfushori i Manchester City, Samir Nasri.

Në tre edicionet e fundit, Topi i Artë ka shkuar në duart e yllit të Barcelonës, Lionel Messi, ndërsa e ka shoqëruar dy herë në podium rivali i tij kryesor, portugezi i Realit të Madridit, Cristiano Ronaldo. /albeu.com/
Shtuar më 18/10/2013, ora 10:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori