"Totti Show", Roma mposht Fiorentinën (VIDEO)
Një ndeshje si Roma-Fiorentina në Serie A nuk e kishim parë prej kohësh. Një sfidë ku intensiteti i ndeshjes ishte i jashtëzakonshëm nga të dyja skuadrat por dominimi ishte i qartë nga djemtë e Zdenek Zeman. Roma fiton 4-2 përballjen me formacionin e Montellas me rezultatin që mund të ishte shumë mirë 6-2 nëse Destro do të ishte në formën e kapitenit Totti. Ky i fundit realizon një dygolësh dhe forma e tij vërteton fjalët e Zeman që flamuri i Romës po luan si 14 vjet më parë.

Serinë e golave e hapi Tachtidis në minutën e 7’ dhe 7 minuta më pas është Roncaglia që barazon por menjëherë 2 gola të Tottit e çojnë në 3-1 sfidën që në pjesën e parë. Pjesa e dytë nis menjëherë me një gol të El Hamdaoui për ekipin vjollcë ndërsa lojën dhe rastet vijon t’i humbasë ekipi i Zeman e në veçanti Destro që ha të paktën 3 gola të sigurt.

Në minutat e fundit bie ritmi i ndeshjes me Romën që mbrohet mirë por në fund gjen mundësinë e një kundërsulmi dhe është Osvaldo që shënon i shërbyer nga Totti me një asist perfekt.

Kjo fitore shënon suksesin e 4 radhazi për teknikun bohem këtë sezon dhe Roma ngjitet në vendin e 4 me pikë të barabarta, 29 po aq sa Lazio dhe Fiorentina. /albeu.com/

Shtuar më 09/12/2012, ora 09:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori