Trajneri gjerman lavdëron mbrojtjen e kuqezinjëve
Trajneri gjerman, Joachim Low, ka thënë fjalë shumë të mira për mbrojtjen e kombëtares shqiptare në futboll kur ka komentuar në lidhje me skuadrat e vogla që kanë mbërritur në këtë fazë të Evropianit.

Duke folur për formatin e ri të Evropianit, ku tani janë kualifikuar 24 ekipe, për dallim nga 16 sa kualifikoheshin më parë, Low është shprehur se me këtë rast patën mundësi edhe disa skuadra të vogla, si Shqipëria e Islanda, të tregojnë fuqitë e tyre.

Megjithatë, ai ka thënë se formati i mëhershëm me 16 ekipe ka qenë ideal.

“Formati me 16 ekipe ishte ideal. Që nga dita e parë zhvilloheshin ndeshje të mëdha”, ka thënë Low para gazetarëve, raporton Reuters.

Inkuadrimi i më shumë skuadrave ka bërë të mundur që disa më të vogla, më pak të fuqishme në futboll, si Islanda e Shqipëria, të kualifikohen, duke u armatosur me mbrojtje të dendur.

Pas 21 ndeshjeve, vetëm një skuadër, Spanja, ia ka dalë që të shënojë tre gola në një ndeshje.

“Janë skuadra që luajnë jashtëzakonisht shumë në mbrojtje. Por e bëjnë këtë punë mirë. Kombet më të vogla, si Shqipëria apo Walesi, janë të trajnuara shumë mirë për sa i përket mbrojtjes. Ata e shohin mundësinë në këtë pikë, dhe për këtë arsye deri më tani kemi pasur vetëm nga dy gola në ndeshje, deri në fitoren e djeshme të Spanjës kundër Turqisë (3-0)”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Low u kritikua edhe për rrethin e radhës të kualifikimeve, rrethin e 16-ë.
Skuadra me vetëm një pikë nga dy ndeshje kanë mundësi të shkojnë në Rrethin e 16-ë. Kjo nuk është e drejtë, por ja se kështu është. Na duhet vetëm të pajtohemi dhe të shfrytëzojmë kohën për t’u përgatitur për çdo kundërshtar”, ka theksuar ai.

Gjermania, e cila synon titullin e katërt Evropian, janë në krye të Grupit C me katër pikë, aq sa ka edhe Polonia. Të martën ata ndeshen me Irlandën dhe do të kalojnë në rrethin tjetër vetëm me fitore apo barazim.

Shqipëria, ndërkaq, deri më tani ka zhvilluar dy ndeshje, atë me Zvicrën që pësoi me rezultat 1 me 0, dhe me Francën, me të cilën pësoi dy gola të shpejtë në fund të takimit, dhe radhitet e fundit në tabelë me 0 pikë. Nesër zhvillon ndeshjen e radhës dhe të fundit kundër Rumanisë, dhe vetëm një rezultat tejet pozitiv, që do të thotë me shumë gola, mund ta çojë kombëtaren shqiptare në rrethin e radhës të Euro 2016./Albeu.com/
Shtuar më 18/06/2016, ora 22:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori