Trajneri i Italisë: Ne jemi njerëz por Spanja jo
Pëlqej
Mbrëmje për t’u harruar në Madrid. Pasi mori tri “shuplaka” nga Spanja dhe, me gjasë, do të detyrohet të kualifikohet për në Botëror përmes “play off”-it, trajneri Xhan Piero Ventura ka komentuar sfidën përpara se të linte fushën e “Santiago Bernabeu”-t.

“Në përgjithësi u pa diferenca e kualitetit mes dy formacioneve. Mirëpo, duhet të pranoj që shumë gjëra ia dhuruam ne Spanjës, duke bërë shumë gabime. Pësuam dy gola që mund të shmangeshin, një me faull dhe tjetrin me goditjen e parë që morëm në portë. Mëkat që ndodhi kështu. Portieri i tyre De Gea bëri tri pritje të rëndësishme. Ndeshja mund të ishte hapur”, tha fillimisht trajneri i kombëtares italiane. Ai theksoi se tani skuadra e tij e ka për detyrë të mundë Shqipërinë dhe të tjerat." tha ai.

Numri një i Italisë tha se Spanja nuk është humane dhe bën gjëra të çmendura në fushën e lojës, raporton Panorama. “Ne jemi njerëzorë, ndërsa ata jo…”, tha Ventura, deklaratë që lë të kuptohet diferencën e madhe që ekziston mes dy skuadrave.

Kombëtarja “axurre” vuajti shumë inferioritetin numerik në mesfushë dhe aty dukej se Spanja dominoi gjithçka, por i pyetur për këtë fakt trajneri i Italisë tha se ka nisur një projekt që nuk mund ta ndryshojë për një ndeshje.

“Nuk futa një mesfushor tjetër, sepse jemi duke zhvilluar një projekt dhe e dimë se ku duhet të mbërrijmë. Nuk ndryshoj për një ndeshje”, sqaroi ai.

KUALIFIKIMI – Trajneri i Italisë e di shumë mirë që tani nuk i falen më hapa falsë. “Tani e kemi detyrim fitoren me Shqipërinë dhe skuadrat e tjera të grupit. Duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë për kualifikimin.

Fillimisht kemi si objektiv të shkojmë në Botëror, por pastaj është e kotë që të eliminohemi pas 3 ndeshjesh aty. Duhet të rritemi. Jo të gjithë lojtarët e mi kanë luajtur 3-4 finale Champions-i në karrierën e tyre”, përfundoi trajneri Ventura.
Shtuar më 03/09/2017, ora 14:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori