Trajneri i Lituanisë: Shqipëria është favorite ndaj nesh
Trajneri i Lituanisë, Valdas Urbonas, e pranon se ekipi i tij nuk vjen si favorit në takimin ndaj kuqezinjve.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, ai theksoi se skuadra e tij do të bënte rotacion, pasi kishte shpenzuar shumë energji në humbjen ndaj Kazakistanit ku ishte dëmtuar edhe kapiteni i ekipit.

"Pas ndeshjes së të premtes ndaj Kazakistanit ne duhet të rifitojmë forcën tonë dhe të përgatitemi siç duhet për këtë ndeshje. Jemi të ndërgjegjshëm që Kombëtarja shqiptare është një ekip i fortë dhe është favorite në këtë sfidë. Por ne do të mundohemi të shfrytëzojmë rastet tona dhe të bëjmë më të mirën që t’i shkaktojmë probleme ekipit vendas", tha ai.

Lituanisë do t’i mungojë një nga lojtarët më cilësorë, kapiteni Fedor Cerniç, i cili u dëmtua ndaj Kazakistanit.

"Të vjen keq që kemi humbur një tjetër lojtar të rëndësishëm për ekipin kombëtar. Kjo është një humbje e madhe, por mendoj se ai që do të zëvendësojë Fedor, do të japë maksimumin në këtë sfidë dhe mungesa e tij në fushë nuk do të ndjehet aq shumë", premtoi trajneri i Lituanisë që planifikon ndryshime.

"Duket se nuk mund të shmangim ndryshimet, pasi në ndeshjen e pare ndaj Kazakistanit u desh të djersinim shumë. Skuadra shqiptare është e balancuar, ka lojtarë të fortë individual dhe duke parë ndeshjet e tyre e kupton që kanë disiplinë taktike. Kombëtarja shqiptare nuk ka shumë pika të dobëta. Është një skuadër me të vërtetë e mirë dhe ndjehet që në të ka dorë edhe trajneri", deklaroi Urbonas.
Shtuar më 07/09/2020, ora 14:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori