Trajneri i Portugalisë "lë me gisht në gojë" Juventusin: Ronaldo nuk është i dëmtuar
Cristiano Ronaldo nuk ka asnjë dëmtim, madje kundër Lituanisë do të zbresë rregullisht në fushën e lojës.

Është ky lajmi që vjen nga selia e Kombëtares së Portugalisë, me trajnerin Fernando Santos që e ka konfirmuar këtë fakt edhe përballë gazetarëve të pranishëm.

Dhe sigurisht që një dalje e tillë ka bërë menjëherë jehonë të madhe, sepse kur bëhet fjalë për CR7-ën, vëmendja është gjithmonë maksimale, aq më shumë pas polemikave që lindën pas ndeshjes së Juventusit, kundër Milanit.

Në këtë takim Ronaldo u zëvendësua në minutën e 55-të me justifikimin se vuante një dëmtim, por me deklaratën e tij trajneri Santos duket sikur nxjerr blof trajnerin Maurizio Sarri, por në të njëjtën kohë jep material që doza e polemikave të shtohet edhe më shumë mbi argumentin në fjalë.

Fernando Santos garanton se kapiteni i kampionëve të Europës në fuqi do ta nisë nga minuta e parë eliminatoren ndaj Lituanisë.

"Nëse unë e grumbullova Cristianon, kjo do të thotë se ai jo vetëm nuk ka asnjë dëmtim, por është shëndoshë dhe do të luajë nga minuta e parë”, nënvizon trajneri i Portugalisë, i cili pasi pyetet nga një gazetar spanjoll për arsyen pse të gjithë duan të flasin për Ronaldon, Santos përgjigjet: “Të gjithë duan që të bëjnë lajm me Ronaldon dhe të flasin për atë, sepse ‘Kris’ është futbollisti më i mirë në botë. Gjithsesi, unë nuk jam këtu për të folur për Ronaldon, por për ndeshjen mes Portugalisë dhe Lituanisë, ndaj nuk do t’i përgjigjem më asnjë pyetjeje për atë".
Shtuar më 14/11/2019, ora 09:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori