Trajneri i Tahitit: Spanjë, tregohu e mëshirshme
Spanja do të zhvillojë në mbremje një ndeshje më shumë se miqësore pasi ka përballë amatorët e kombëtares së Tahitit, qëllimi i vetëm i të cilëve është që të ruajnë portën për të pësuar sa më pak gola nga kampionët e botës. Pas fitores së parë 2-1 ndaj Uruguajit, kombëtarja e Vincente del Bosques kërkon kualifikimin në gjysmëfinalen e Kipës së Konfederatave dhe këtë do ta bëjë me një skuadër të ndryshme nga ajo e ndeshjes së parë.

Victor Valdes, Fernando Torres dhe David Villa do ta nisin takimin që nga minuta e parë bashkë me David Silvan dhe Jesus Navas. Në kampion kundërshtar, Tahiti nuk ka shqetësime të mëdha në formacion përveç dëmtimit të Nicolas Vallar.

Spanja vjen në këtë përballje pas 23 ndeshjeve pa njohur humbje, pasi disfatën e fundit e regjistron në vitin 2011 ndaj Anglisë. Fitorja më e thellë në historinë e "La Rojas" është ajo e vitit 1933 ndaj Bullgarisë, por sonte në "Maracana" ka mundësinë më të mirë për ta thyer këtë rekord ndaj kombëtares që renditet e 138-ta në klasifikimin e FIFA-s.

Dhe për të evituar turpërimin nga kampionët e botës, trajneri i kombëtares së vendit të vogël ishullor, Edi Etaeta ka kërkuar nga trajneri Del Bosque që skuadra e tij të tregohet e mëshirshme. /albeu.com/
Shtuar më 20/06/2013, ora 12:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori