Tregtari i armëve sfidon "Mbretërit" e futbollit
Pivos Erotokritu, presidenti i APOEL Nikosias, po bëhet gati që të përjetojë një nga netët më të bukura të jetës, pasi ekipi i tij do të përballet me Real Madrid në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Një tregtar armësh në jetën e përditshme, ai ka zbuluar se ka vënë rregulla strikte në klubin ku drejton për ta nxjerrë nga ujërat e turbullta ku notonte deri disa vite më parë dhe për ta kthyer në një ekip që luan çdo vit për trofe dhe në Kupat e Evropës.

“Unë jam një tregtar armësh. I blej në Rusi dhe i shes në vendet afrikane ose në Azi. Është thjesht biznes. Mora drejtimin e Apoelit për ta shpëtuar, sepse ishte në krizë. Kemi shpenzuar shumë në vitet 2009 dhe 2010, por vendosëm të mos shpenzonim për blerje, edhe pse hymë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve”, shprehet Erotokritu.

“Unë preferova që klubi të mos hynte në borxhe të panevojshme. Buxheti jonë aktual është 9 milionë euro në vit, më pak sesa merr rrogë Cristiano Ronaldo, ndërsa dy lojtarët më të mirë marrin nga 400 mijë euro në vit. Pjesa tjetër e futbollistëve marrin mesatarisht nga 250 mijë euro. Të ardhura të tjera janë bonuse për golat dhe përqindje nga ajo që fitojmë në Ligën e Kampioneve”, – rrëfen presidenti i klubit qipriot.

“Këtë vit nga turneu kemi fituar 22 milionë euro, por nuk do t’i shpenzojmë si të çmendur. Jemi një vend i vogël dhe nuk i sigurojmë dot 9 milionë eurot që shpenzojmë çdo vit. Nëse shpenzojmë para në mënyrë të panevojshme dhe për 2 sezone nuk luajmë me sukses në Ligën e Kampioneve apo Ligën e Evropës, atëherë do të përfundojmë në faliment. Sa për informacion, paratë që fitojmë ne nga e drejta televizive janë më pak se ajo që fitohet në kategorinë e dytë në Spanjë apo Angli. E megjithatë, në fushën tonë do të mundohemi të fitojmë ndaj Realit”, ka qenë premtimi i Erotokritut për gazetën spanjolle “As”. /albeu.com/
Shtuar më 27/03/2012, ora 19:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori