Trembet Juve, Tottenham kërkon Conten
Thashethemet e fundit që vijnë nga Anglia “minojnë” projektin e Juventusit. Sipas të përditshmes italiane “Tuttosport”, trajneri i skuadrës bardhezi, Antonio Conte, ka përfunduar në shënjestrën e drejtuesve të Tottenham. Në klubin anglez po përpiqen të gjejnë zëvendësuesin e Harry Redknapp, i cili pritet të marrë drejtimin e Kombëtares angleze. Dhe mesa duket londinezët kanë individualizuar te 43-vjeçari trajnerin ideal për t’i dhënë jetë projektit të tyre.

Statistikat flasin në favor të teknikut italian. Conte që në vitin e parë të tij në krye të një skuadre të madhe si Juventusi ka kryesuar kampionatin italian për disa muaj me radhë, ka siguruar finalen e Kupës së Italisë, si dhe ka ruajtur pathyeshmërinë e skuadrës së tij për 33 ndeshje. Statistika të rëndësishme këto, të cilat kanë bërë të mundur që Konte të fitojë respektin e kolegëve të tij si Arsene Wenger apo Rafa Benitez, pavarësisht se ka vetëm një vit që ka marrë drejtimin e një skuadre me peshë si Juventusi.

Tani ish-mesfushori bardhezi i kërkon skuadrës së tij të japë maksimumin e vet për ta mbyllur sa më mirë këtë sezon. Më pas do i takoj atij të vlerësojë ofertat e radhës. Por pa dyshim që paga e tij vjetore prej 1.2 milionë eurosh në sezon ua shton oreksin klubeve evropiane, të cilat janë gati t’i japin dyfishin e asaj që merr te Juventusi.

Aktualisht drejtuesit e Totenhemit kanë nisur t’i “vardisen” teknikut bardhezi, por përpara se të mendojë për të ardhmen, Konte kërkon të luftojë “me mish e me shpirt” për të siguruar dy objektivat e fundit sezonal. Dhe vetëm në fund të sezonit, do vendosë nëse do të pranojë apo jo transferimin e tij në Premier League. /albeu.com/
Shtuar më 29/03/2012, ora 10:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori