Trepca '89 bie nga Superliga e Kosoves
Pëlqej
Albeu.com
Pas humbjes nga rivali lokal, Trepça ’89 i ka thënë lamtumirë elitës së futbollit kosovar. ‘Xehetarët’ iu bashkuan Besianës, 2 Korrikut, Istogut, Ulpianës dhe Dritës, të cilat nga sezoni i ardhshëm do të garojnë në një rang më të ulët garash.
Trepça ’89 – Trepça 3:5
Trepça ’89 është skuadra e gjashtë që ka rënë nga elita e futbollit kosovar, pasi të dielën është mposhtur nga rivali i saj lokal, Trepça me rezultat 3:5 në kuadër të xhiros së fundit të Superligës.
Trepça ka kaluar në epërsi prej 0:1 në minutën e 2-të me golin që e shënoi Isuf Sejdiu. Trepça ’89 barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 18 nëpërmjet Goce Petrevskit. Por, skuadra mysafire kaloi sërish në epërsi prej 1:2 në minutën e 34-t sërish nëpërmjet Sejdiut. Katër minuta më vonë, vendasit barazuan shifrat në 2:2 me golin që e realizoi Samir Sahiti nga penalltia. Pesë minuta pa përfunduar pjesa e parë, Trepça ’89 kaloi për herë të parë në epërsi prej 3:2, falë golit që e shënoi Ibrahim Peci. Por rezultatin në 3:3 Trepça e barazoi në minutën e 51-të, kur Sheremet Isufi tundi rrjetën e portës së Trepçës ’89. Vendasit patën rast ideal për të kaluar sërish në epërsi në minutën e 69, kur Samir Sahiti dështoi të shënojë nga penalltia.
Ky rast i humbur nga Trepça ’89, u dënua nga rivalët në minutën e 74-t, pasi Sheremet Isufi shënoi sërish për rezultat 3:4. Ndërsa, Trepçës ’89 përfundimisht shpresat për mbijetesë ia humbi goli që e shënoi Rinor Hykolli në minutën e 82-të për ta rritur avantazhin e Trepçës në 3:5, me të cilin rezultat edhe u përmbyll ky takim.

Drenica – Prishtina 3:2
Drenica e ka siguruar mbijetesë falë humbjes së Trepçës 89’ dhe fitores së saj ndaj Prishtinës me rezultat 3:2.
Në këtë takim Prishtina ka kaluar e para në epërsi prej 0:1 në minutën e 3-të me golin që e shënoi Agron Skeraj. Drenica e barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 25-të nëpërmjet Taulant Dajakut. Por mysafirët kanë kaluar sërish në epërsi prej 1:2 në minutën e 34-t me golin e Suad Saliagiqit. Ende pa kaluar një minutë nga ky gol i shënuar, Drenica e barazoi rezultatin në 2:2, me golin e realizuar nga Hysni Kabashi. Ndërsa fitoren skuadrës nga Skenderaj ia siguroi goli i Dukagjin Gashit, i cili shënoi për rezultat përfundimtar 3:2.

Ferizaj – Besa 3:0
Ferizaj mbetet pjesë e Superligës, së paku edhe për një vit, pasi e ka mposhtur Besën me rezultat 3:0. Dy gola për Ferizajn i ka shënuar Fitim Sadriu në minutën e 13 dhe 85-të dhe një gol tjetër e ka shënuar Astrit Fazliu në minutën e 63-të të ndeshjes. Në këtë takim ishin të pranishëm rreth 4 mijë shikues, të cilët festuan mbetjen e Ferizajt në Superligë, dhe me duartrokitje e kanë përshëndetur Arsim Abazin e Ferizajt, i cili i dha fund karrierës së tij si futbollist aktiv.

Besiana – Hysi 1:4
Hysi siguroi qëndrimin në Superligë pasi e mposhti si mysafir rivalin lokal, Besianën me rezultat 1:4. Golat për Hysin në këtë ndeshje i kanë shënuar Gëzim Gashi në minutën e 33-të, Mentor Zhdrella në minutën e 43-të dhe dy golat e fundit i ka shënuar Enis Zabërxha në minutën e 54-t dhe të 69. Me këto dy gola, Zabërxha ka arritur kuotën e 21 golave të shënuara në këtë sezon dhe është golashënuesi më i mirë për këtë stinor. Ndërsa, golin e vetëm për Besianën e ka shënuar Rrahim Gashi në minutën 42-të të takimit.

Flamurtari – Ulpiana 5:0
Sikur shumë skuadra të tjera, edhe Flamurtari ka arritur që në xhiron e fundit ta sigurojë mbijetesën. Kuqezinjtë e kanë mposhtur Ulpianën me rezultat 5:0. Nga dy gola për Flamurtarin në këtë takim i kanë shënuar Arton Gashi në minutën e 24-t dhe të 41-të, dhe Malsor Gjonbalaj në minutën e 67 dhe të 76 të takimit. Kurse një gol e ka shënuar Faton Zejnullahu në minutën e 39 të takimit.

Kosova(V) – Gjilani 3:1
Kosova e Vushtrrisë e ka përmbyllur këtë stinor me fitore, pasi e ka mposhtur Gjilanin me rezultat 2:1. Vushtrriasit kanë kaluar në epërsi, e para 1:0 me golin që e ka shënuar Tahir Ademi, por Gjilani e ka barazuar rezultatin në 1:1 në minutën e 28. Golashënues ishte Florent Muji. Kosova (V) ka rikthyer sërish epërsinë në 2:1 në fillim të pjesës së dytë nëpërmjet Mensur Magjunit. Ndërsa golin e fundit për vushtrriasit e ka shënuar Bajram Zuqaku, për epilog përfundimtar, 3:1.

Vëllaznimi – Istogu 4:2
Vëllaznimi e ka mposhtur Istogun me rezultat 4:2. Istogu ka kaluar i pari në epërsi prej 0:1 në minutën e 6 me golin e Arton Bajrës. Kuqezinjtë e kanë barazuar rezultatin në 1:1 me golin që e ka shënuar Alban Dylazeka në minutën e 15. Vëllaznimi ka kaluar në avantazh me rezultat 2:1 në minutën e 28 me golin e Kreshnik Vulës. Vula ka shënuar sërish gol për Vëllaznimin, nga pika e bardhë, në fund të pjesës së parë, për ta rritur epërsinë e skuadrës së tij në 3:1. Në pjesën e dytë, Istogu ia doli të shënojë një gol nëpërmjet Dervishajt, për ta ngushtuar epërsinë e kuqezinjve në 3:2. Ndërsa golin e fundit për Vëllaznimin e ka shënuar Roland Duraku, pak para fishkëllimës së fundit të gjyqtarit për rezultat përfundimtar, 4:2.

Drita - 2 Korriku 1:2
2 Korriku e ka shënuar fitoren e fundit si anëtar i Superligës, pasi ka fituar si mysafir në Gjilan, ndaj Dritës, me rezultat 1:2. Drita ka kaluar e para në epërsi me rezultat 1;0 në minutën e 30 me golin që e ka shënuar Elhami Alimi. 2 Korriku e ka barazuar rezultatin në 1:1 në minutën e 30, nëpërmjet Jeton Llumnicës. Ndërsa rezultatin përfundimtar në 1:2 në favor të prishtinasve e ka vënë Agron Ramadani, i cili ka shënuar gol në minutën e 71-të të takimit.

Tabela përfundimtare

1. Prishtina 30 21 57
--------------------------------------
2. Besa 30 12 50
3. Vëllaznimi 30 13 49
4. Trepça 30 3 49
5. Kosova (V)30 12 48
6. Gjilani 30 8 47
7. Hysi 30 18 46
8. Ferizaj 30 7 46
9. Flamurtari 30 0 46
10. Drenica 30 10 45
---------------------------------------
11. Trepça ’89 30 5 42
12. Ulpiana 30 -12 36
13. Istogu 30 -15 32
14. 2 Korriku 30 -18 29
15. Besiana 30 -43 26
16. Drita 30 -18 23
Shtuar më 22/06/2009, ora 03:45
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori