Treshja e Barcelonës që pushtoi botën, grup edhe në What App
Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, e quajti Neymar një "fenomen" dhe zbuloi se është në një grup WhatsApp-i me brazilianin e PSG dhe shokun e ekipit, Luis Suarez. Treshja në fjalë formoi një nga sulmet më të mirë të botës për tri sezone te Barça, para se Neymar të transferohej te gjigantët e Ligue 1, në vitin 2017.

Messi, Neymar dhe Suarez fituan dy tituj të La Liga-s, një Champions dhe tri Kupa Mbreti së bashku në Barcelonë. Ylli i Selecao është lidhur me një kthim në "Camp Nou", ndërsa Messi zbuloi se ishte ende në kontakt me ish-shokun e skuadrës.


"Kam një grup të veçantë në WhatsApp, ku jemi unë, Suarez dhe Neymar, – tha ai për "Fox Sports" në Argjentinë. – Neymar është një fenomen. Është e vërtetë, ne vazhdojmë të flasim. Emri i grupit që kemi hapur në WhatsApp ka të bëjë me Amerikën e Jugut… “Three Sudacas”, apo diçka e tillë".

Messi është duke u përgatitur që potencialisht të përballet me Uruguain e Suarez dhe Brazilin e Neymar gjatë "Copa America". Ylli i Barcelonës është ende i pakënaqur për mënyrën se si dodhi eliminimi nga Liga e Kampionëve, se si erdhi përmbysja në gjysmëfinalen e kthimit ndaj Liverpool-it: "Ishte e turpshme ajo që na ndodhi në Liverpool. Bëmë gabime të pafalshme".

Messi, megjithatë, nuk pranoi të fajësonte trajnerin e Barcelonës, Ernesto Valverde, për zhgënjimet e fundit të sezonit: “Deri në ndeshjen me Liverpool kemi bërë paraqitje spektakolare. Për humbjen në "Anfield", trajneri nuk kishte asnjë faj. Liverpool na mposhti me guximin dhe qëndrimin që tregoi, ne bëmë gabime”.

31-vjeçari, gjithashtu, sugjeroi se skuadra e tij ishte e tronditur psikologjikisht nga përmbysja e ngjashme me tre gola në Romë, në Ligën e Kampionëve të vitit të kaluar. Fatkeqësisht, katalanasit nuk ishin në gjendje ta parandalonin të njëjtën gjë në "Anfield":

"Unë kurrë nuk e kam imagjinuar se mund të përsëritej historia, pas humbjes kundër Romës, një vit më parë. Ne nuk mund t’ia lejonim vetes humbjen e një ndeshjeje tjetër përsëri, në këtë mënyrë. Fatkeqësisht, ndodhi. Liverpool ishte fizikisht më i fortë se ne dhe, kur shënoi dy golat e parë në gjysmëfinalen e kthimit, m’u kthyen makthet e Romës".
Shtuar më 01/06/2019, ora 18:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori