Triumfet në sport vazhdojnë, politika hesht!
Pëlqej
Abonohuni për lajmet sportive me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
Nga Silvana GJEÇAJ

Triumfi i Gjetan Ketës në pallatin “Asllan Rusi” në Tiranë, ishte kryefjala e çdo edicioni informativ, emisioni sportiv dhe jo vetëm. I njohur si Mike Gjetan Keta, është ndeshur me turkun Turgay Uzane, ku sigurisht, Keta ka fituar këtë ndeshje që në raundin e pestë. Titulli më i fundit i “Tyson-it” shqiptar është “Kampion Intercontinental në WBC”.

Preferoj të mos ndaloj tek ndeshja, por tek ajo që ka ndodhur para dhe pas saj. Është organizuar një ndeshje për një titull ndërkontinental dhe qeveria as që ka dashur t’ia di për shpenzimet kolosale. Të gjitha shpenzimet janë mbuluar nga vëllezërit Ismail dhe Gjetan Keta. Qëllimi i kësaj ndeshjeje ishte promovimi i turizmit në vendin tonë, e cila u dëshmua edhe në fund të ndeshjes, pasi kampioni veshi bluzën me shkrimin “Vizitoni Shqipërinë”.

Pas fitores, Keta është uruar nga të gjithë, por jo nga ata që njihen si “koka” e vendit tonë. Si mund të shpjegohet që Kryeministri Rama nuk e ka ftuar në zyrën e tij, ndoshta thjeshtë për të thënë një falendërim për promovimin që po i bënë Shqipërisë dhe turizmit, apo akordimin e një titulli të veçantë nga Presidenti. Ndoshta mos po kërkoj shumë?!

Mos ndoshta Rama është i zënë duke menduar për batutat e radhës që do të shkëmbente më vonë me Kryeministrin Vuçiç të Serbisë? Nëse Shqipëria ka një arsye për t’u krenuar para botës, kjo falë sportistëve, këngëtarëve, aktorëve dhe profesioneve të tjera, por kurrsesi nga politika dhe politikanët.

Ne duam të jemi “një” me Kosoven, dhe pse jo nëse është kjo ajo që duam, por nuk duhet të marrim shembull njëri-tjetrin kur jemi gabim. Para disa ditësh Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë në disiplinën e xhudos, në “Grand Slam” të Parisit, medalje kjo e shtuar në repertorin e triumfeve të xhudistes kosovare. Por, askush nuk e priti në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës, në tokën mëmë, duke mos marrë falendërimet që ajo meriton. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe homologët shqiptar, më saktë nuk kanë bërë asgjë për të nderuar kampionët nga Bulqiza.

Qeveria dhe sporti, siç duket, nuk do të bashkëveprojnë asnjëherë në vendin tonë. Me gjithë premtimet në çdo fushata elektorale, gjithçka tjetër ngel “peng” i këtyre premtimeve. Braktisja e sportit nga këta të fundit mund të vërtetohet nga ndeshja, por mjafton edhe të vizitojmë ambjentet ku sportistët tanë stërviten.

Fjalimi i Kryeministrit apo batutat e tij me Kryeministrin serb në samitin e BERZH-it, i cili po organizohet në Londër, apo parku që po ndërton Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, që ka hapur një debat super të madh publik nuk mund të zbehin shkëlqimin dhe triumfin e Gjetan Ketës, i cili na ka bërë krenar të gjithëve, të vegjël e të moshuar.

Si qytetare e këtij vendi jam krenare për çdo triumf të shqiptarëve kudo, në çdo fushë konkuruese nëpër botë. Dua të besoj se gjërat do të ndryshojnë në këtë vend. Ndonëse zgjohem me shumë ëndërra, më i madh është zhgënjimi, dhe më vjen keq të them që ky vend ofron shumë pak, për të mos thënë aspak, për talentet tona.

Dua t’a mbyll me një pyetje, por e di që asnjëherë nuk do të marr një përgjigje. Z. Kryeministër, a nuk keni ju një detyrim moral për t’i kërkuar falje çdo sportisti tjetër që ju keni zhgënjyer? Për t’i kërkuar falje, pasi si ish-basketbollist, i dini shumë mirë vështirësit që ka sporti shqiptar. /Albeu.com/
Shtuar më 23/02/2016, ora 16:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori