Trukimet e ndeshjeve, ja sa rrezikon të dënohet Skënderbeu
Skënderbeu është zyrtarisht nën hetim nga UEFA. Fillimisht është përfolur se sot institucioni i futbollit do të dalë me një vendim në lidhje me këtë çështje pas një hetimi 6-mujor. Por, pas seancës dëgjimore të djeshme të presidentit të skuadrës, Ardjan Takaj në UEFA, ekziston edhe një mundësi tjetër që organizimi i futbollit europian ta shtyjë me një ose disa ditë vendimin.

Flitet se dënimi ndaj klubit korçar nga Komisioni i Etikës pranë UEFA-s të jetë i rëndë. Gjasat janë që të shkojë deri në një përjashtim 5- vjeçar nga pjesëmarrja në Kupat e Europës. Por, përveç kësaj, institucioni i futbollit mund të bashkëpunojë me FSHF-në për këtë rast dhe të pasohet edhe me dënim tjetër në kampionatin shqiptar, raporton Panorama Sport.

Ndëshkim që mund të jetë me heqje pikësh për sezonin e ardhshëm apo edhe më keq akoma me zbritje nga kategoria. Burimet flasin për një hetim të thelluar të UEFA-s në lidhje me disa ndeshje të Skënderbeut në Kupat e Europës gjatë sezonit të kaluar, në një kohë që klubi korçar në deklaratën e tij ka thënë se bëhet fjalë edhe për takime në kampionatin shqiptar.

Nëse provat e mbledhura nga UEFA vërtetohen dhe faktet ekzistojnë, dënimi pritet të jetë ekzemplar për gjashtë herë radhazi kampionët e Shqipërisë. Akuzat ndaj bardhekuqve nisën që pas ndeshjes në Irlandën e Veriut ndaj Krusaders ku portieri i skuadrës vendëse akuzoi hapur korçarët për tolerim në minutat e fundit, në një kohë që më pas hodhi dyshime edhe kompania “Federbet” pas sfidës Sporting-Skënderbeu, 5-1.
Shtuar më 26/05/2016, ora 11:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori