Trukimet, Masiello përmend Bonuccin dhe Pepen
Pas arrestimit dhe deklaratave të para, mbrojtësi i Atalantës dhe ish-i i Barit, Andrea Masiello, ka përmendur edhe emrat e dy juventinëve aktualë, Simone Pepe dhe Leonardo Bonucci, lidhur me trukimin e ndeshjes së vitit 2010, Udinese-Bari 3- 3.

Sipas asaj që raporton e përditshmja italiane “Gazzetta dello Sport”, Andrea Masiello duket se ka implikuar rëndë ish-kolegun e tij barez, Bonucci, ndërkohë që Pepe ka refuzuar pjesëmarrjen në trukim.

“Një biznesmen i quajtur De Tuglio na propozoi të alternonim sfidën mes Udineses dhe Barit me një rezultat me gola sipër, pra që të shënoheshin të paktën 3 gola. Unë e mora përsipër këtë ofertë, por në dhomat e zhveshjes së Barit e bisedova çështjen me Belmonten, Salvatore Masiellon, Bonuccin dhe Parizin. Të gjithë më ofruan gadishmërinë e tyre. Më pas Salvatore Masiello telefonoi Simone Pepen, atëherë pjesë e Udineses, por ai refuzoi të merrte pjesë në këtë trukim. Pas ndeshjes, e cila përfundoi me rezultatin 3-3, unë shkova në restorantin e De Tuglios dhe tërhoqa 8 mijë euro që kisha fituar nga basti që e kisha luajtur personalisht, ndërkohë që 2 mijë euro ia dhashë Iakovelit”, – tregon Andrea Masielo, deklaratë e cila tashmë pret të thërrasë në gjykatë edhe dy juventinët, Simone Pepe (i cili nuk ka lënë ende një deklaratë të tijën për median) dhe Leonardo Bonuccin (ky është dëgjuar njëherë nga prokurorët e çështjes së basteve). /albeu.com/
Shtuar më 04/04/2012, ora 11:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori