Tuchel thur elozhe për dyshen, Mbappe-Icardi
Partneriteti i Kylian Mbappes me Mauro Icardin në fazën e sulmit ia ka përkujtuar trajnerit të Paris Saint-Germainit, Thomas Tuchel, partneritetin mes yllit francez dhe Radamel Falcaos në Monaco.

Kylian Mbappe ka shënuar 19 herë në 21 paraqitje për PSG-në këtë sezon, përderisa Mauro Icardi ka kontribuar me 17 gola në 20 paraqitjet që kur erdhi në formë huazimi nga Interi.

Asnjëri s’arriti të shënojë gjatë barazimit me rezultat 3:3 kundër Monacos, por Tuchel i lavdëroi ata të dy para ndeshjes kthese të së mërkurës në Stade Louis II.

Mbappe kishte bërë emër në futbollin evropian duke luajtur përkrah Falcaos në Monaco dhe duke ia rrëmbyer PSG-së titullin e Ligue 1 në sezonin 2016/17, si dhe duke arritur deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

“Po, partneriteti është pak i ngjashëm sepse Falcao është pak i ngjashëm me Mauron. Atij i pëlqen me të vërtetë të luajë në pozitën e qendërsulmuesit dhe mund të luajë edhe i vetëm në këtë pozitë”, ka thënë strategu gjerman.

Kylian lëviz më shumë dhe më shpejt në krahët e sulmit. Është një kombinim i mirë për të dy. Atyre u pëlqen të luajnë bashkë dhe kështu janë shumë të rrezikshëm për kundërshtarët”

“Ky partneritet është i mirë sepse ne gjithmonë i kemi dy lojtarë në pjesën e fundit të fushës dhe është e vështirë për ekipin kundërshtar të mbrohet. Është një përzierje e mirë”.
Shtuar më 15/01/2020, ora 16:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori