"U katandis kaposhi në thelë", Duka komenton ndryshimet ligjore për sportin
Armand Duka në “Pressing” sërish, përballë moderatorit Gerti Çarçani. Shumë tema për të folur, në një moment mjaft delikat për futbollin shqiptar.

Klubet e Superiores janë bërë bashkë dhe kanë vendosur të mos e nisin kampionatin, pa iu plotësuar katër kërkesa nga qeveria.

TVSH 6%, tatim fitimi i futbollistëve të mos paguhet për 10 vite, të falen kamatëvonesat e detyrimeve fiskale dhe një ligj sponsorizimi favorizuar për bizneset.

Këto janë katër kërkesat e klubeve, ndërkohë që qeveria ishte njohur me të që një muaj më parë dhe vetëm tani ka ngarkuar një grup pune për të diskutuar me Ligën Profesioniste të Futbollit.

Ky është problemi kryesor i momentit dhe sërish Duka nuk i shmanget.

VENDIMI I LIGËS – “E mira është të kemi futboll dhe kemi vuajtur këtë vit, duke pasur parasysh situatat e kaluara, me pandemi e tërmet. Nuk do ishte mirë të kishte bojkot, por një zgjidhje. Liga nuk janë 10 klube të Superiores, ato kanë edhe rreth 50 ekipe moshash dhe fëmijë që i edukojnë. Katër kërkesat e bëra janë për zhvillimin e futbollit.

Kjo përçohet edhe te klubet e tjera. Personalisht jam kundër bojkotit, jam pro zgjidhjes në tavolinë. Është vullneti i shumicës ky. Duhet bërë maksimumi të zgjidhen gjërat. Koha ishte e mjaftueshme të zgjidhen ato katër kërkesa. Ato kërkesa janë ato premtime që u bënë në maj të vitit 2018.

Kryeministri tha që le të bëjmë një reformë dhe të ndërtojmë një strategji për zhvillimin e sportit. Janë bërë grupe pune, janë bërë disa ndryshime. Por nuk u bënë esencialet që ndihmojnë në zhvillimin e futbollit.

Asnjë nga kërkesat nuk devijon nga premtimet, madje aty u diskutuan më shumë dhe liga ka kërkuar katër. Plotësimi i tyre i jep frymëmarrje futbollit shqiptar. U bë grupi i punës dhe morën specialistë nga FSHF, ministria. Në fund u katandis kaposhi në thelë dhe nuk u bënë ligjet që duheshin.

Flitet për informalitet, por me këto masa tentohet rregullimi. Jemi dëshmitarë të një realiteti që futbolli e ka të vështirë të mbajë veten me këtë bazë ligjore që ka futbolli dhe me financimet që vijnë nga pushteti lokal”, tha Duka.
Shtuar më 14/09/2020, ora 23:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori