U rrëzua në dush, Karabeci 6 javë jashtë fushave të lojës
Erando Karabeci do t’i mungojë Tiranës për rreth dy muaj, pasi dje është bërë protagonist i një incidenti me pasoja të rënda në shtëpinë e tij. Kapiteni i bardhebluve ka përfunduar pa ndjenja dhe në spital mbrëmë, duke iu nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale si pasojë e këtij incidenti të rëndë.

Është mësuar se pas kthimit në shtëpi nga aeroporti “Nënë Tereza”, Karabeci ka rrëshqitur në dush dhe është përplasur me një pajisje hidrosanitare. Ajo është thyer duke i shkaktuar si humbjen e ndjenjave kapitenit të Tiranës, ashtu edhe një plagë prej rreth 20 centimetra në kofshë, duke i dëmtuar njëkohësisht edhe muskulin, shkruan Panorama Sport.

Ai është dërguar me urgjencë në spital nga familjarët e tij, ndërsa i është nënshtruar menjëherë një operacioni për të mbyllur këtë plagë dhe sidomos dëmtimin në muskul.

Fatkeqësisht për të, stafi mjekësor i ka konfirmuar se do të duhet të qëndrojë për të paktën 6-7 javë në terapi për këmbën e dëmtuar dhe vetëm më pas parashikohet të fillojë vrapimet në fushë. Kjo do të thotë se Josa duhet të bëjë llogaritë pa kapitenin për të paktën dy muajt e ardhshëm.

Shtuar më 19/01/2017, ora 17:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori