UEFA i bën skanerin Kombëtares: Ja pikat e forta të ekipit të De Biasit
Mbrojtje solide, mesfushë e ngjeshur për të lënë sa më pak hapësira dhe një sulmues i deklaruar, për të tentuar që ti kapë rivalët në befasi. Kjo është mënyra e lojës me të cilën sipas UEFA-s, Shqipëria pritet të paraqitet në finalet e Euro 2016.

Në ditët e fundit të përgatitjeve drejt Euro 2016, faqja zyrtare e Konfederatës Europiane të Futbollit parashikoi formacionet e mundshme të skuadrave pjesëmarrëse. Gjithçka duke u bazuar në skemat e përdorura më së shumti gjatë kualifikueset dhe miqësoreve të 24 përfaqësueseve finaliste.

Për Shqipërinë e Gianni De Biasit skema më e përdorur mbetet 4-5-1, ku edhe variacioni taktik i trajnerit me rreshtimin 4-2-3-1 e mban praktikisht mesfushën të ngjeshur dhe me 5 lojtarë. Berisha në portë ka mbështetjen e Hysajt, Canës, Mavrajt e Agollit në mbrojtje.

Në mesfushë Kukeli është gjithmonë përpara mbrojtjes për të thyer aksionet e kundërshtarëve. Taulant Xhaka përdoret si “xhol”, herë përkrah Kukelit dhe në disa raste në pozicion më të avancuar, ashtu si Abrashi.

Nga krahët e mesfushës, Lenjani duket i paprekshëm në të majtën, Roshi në avantazh për krahun e djathtë, ndërkohë që Cikalleshi është favorit për një fanellë titullari, edhe pse së fundmi Armando Sadiku ka forcuar pozitat në ekip.
Shtuar më 02/06/2016, ora 15:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori