UEFA me dy standarde: Feyenoord-i i nënës, Shqipëria e njerkës
UEFA me dy standarde: asnjë ndëshkim për Feeyenord, dënim maksimal për Shqipërinë për ndeshjen në Beograd me kuqezinjtë që humbën ndeshjen në tavolinë e Federatën Shqiptare që u ndëshkua edhe me një gjobë prej 100 mijë eurosh. Ky vendim tregon edhe një herë se qeveria e europiane e futbollit nuk vepron njësoj në të gjitha rastet.

Të premten, pas sfidës së Europa League mes Romës dhe Feyenoord, kryeqyteti italian u zgjua e tronditur nga imazhet dhe bilanci i dëmve që kishin shkaktuar tifozët huliganë holandezë: policë të plagosur, njolla gjaku mbi trotuare dhe sheshet qendrore të pushtuara nga plehrat dhe sendet e shkatërruara. Nuk ishte kursyer as sheshi "Spanja", një nga më të bukurit në botë ku huliganët kishin dëmtuar edhe shatërvanin kryesor të tij.

"Barbarët", ishte ky titulli i "La Gazzetta Dello Sport", por cili ishte dënimi i UEFA-s për Feyenoord: asnjë.

Organizimi europian bëri të ditur se nuk do të ndërmarrë masa për klubin holandez pasi ngjarjet e dhunshme kishin ndodhur jashtë stadiumit.

Por çfarë ndodhi në 14 tetor 2014: Në stadiumin e Partizanit të Beogradit nuk kishte në fakt tifozë shqiptarë, mes 30 mijë serbëve ishte vetëm një delegacion zyrtar shqiptar prej rreth 70 personash, por kjo nuk i pengoi organet disiplinore të UEFA-s që të bënin me faj Shqipërinë për një dron, që erdhi edhe ai nga jashtë stadiumit.

Gjithçka është e lehtë të kuptohet: për UEFA-n disa janë të nënës dhe disa të njerkës. Kur përballen dy skuadra perëndimore, si Roma me Feyenord ajo është e predispozuar të tolerojë edhe rrëmuja me një bilanc prej dhjetëra arrestimesh, ndërsa kur bëhet fjalë për një vend si Shqipëria, është e lehtë që të merret një ndëshkim qoftë ky edhe i pabazuar. (SS) /albeu.com/
Shtuar më 21/02/2015, ora 16:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori