UEFA rrëzon idenë e Premier League-s Europiane
Ditën e djeshme "Sky Sport UK" zbuloi se me një nismë të mbështetur edhe nga FIFA, kanë nisur negociatat me disa klube, për krijimin e Premier League-s Europiane, një kompeticion që do të përbëhej nga skuadra të 5 ligave kryesore të kontinentit të vjetër.

Sipas medias prestigjoze, negociatat kanë nisur fillimisht me Liverpooin e Manchester United, ndërsa synimi është krijimi i një lige prej 18 ekipesh, që do të gjeneronte të ardhura të shumta për pjesëmarrësit.

Megjithatë i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i UEFA-s, nëpërmjet presidentit të saj Alexander Ceferin, i cili u shpreh plotësisht kundër kësaj nisme, duke theksuar se shkel parimet e qeverisë europiane të futbollit.

"E kemi theksuar vazhdimisht se jemi kundër idesë së krijimit të një Super Lige Europiane. Parimet e solidaritetit dhe të konkurrencës së hapur për të gjithë, janë të panegociueshme dhe pikërisht kjo është ajo që e bën futbollin europian të funksionojë dhe e bën Ligën e Kampionëve garën më të mirë në botë. UEFA dhe klubet impenjohen për të përmirësuar këtë forcë që kemi në dorë dhe jo ta minojmë me një Super Ligë që do të ishte e mërzitshme", u shpreh Ceferin.

Në të njëjtën linjë me kreun e UEFA-s, madje edhe më i ashpër ishte edhe presidenti i La Ligës, Javier Tebas, i cili e quajti këtë si një "ide e lindur nga një mendje injorante", që nuk ka aspak njohuri mbi funksionimin e këtij tregu.

"Autorët e kësaj ideje, nëse ekziston vërtetë një e tillë, jo vetëm tregojnë injorancë totale mbi organizimin dhe traditën e futbollit europian e botëror, por një injorancë totale edhe mbi tregun e të drejtave televizive. Një projekt i tillë do të thotë dëm serioz ekonomik për vetë organizatorët dhe ata që e financojnë. Me siguri kjo ide ka lindur në ndonjë bar kafe, në orën 5 të mëngjesit, pasi e shoh si janë bërë llogaritë", u shpreh Tebas.
Shtuar më 21/10/2020, ora 10:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori