Uells, mbetet ende mister vdekja e Gary Speed
Misteri i vetvrasjes së trajnerit të Uellsit dhe një prej lojtarëve më të njohur të Premier League në dekadën e fundit, Gary Speed, thellohet edhe më shumë nga deklarata e gruas së tij se ai nuk kishte asnjë shenjë depresioni dhe nuk kishte asnjë problem mes tyre.

Sipas të dhënave që i janë dhënë policisë, ishte pikërisht bashkëshortja ajo që gjeti trupin e varur të 42-vjeçarit, në banesën e tyre në Uells. Në një komunikim me shtypin, agjenti i ish-futbollistit të Tottenham, Newcastle dhe Everton, deklaroi: “Zoti dhe Zonja Speed kishin një martesë të lumtur midis tyre dhe këtë mund ta dëshmojë të gjithë ata që e njihnin. Për këtë arsye, ajo ngjarje është një mister i vërtetë. Familja nuk ka as më të voglën ide se përse ai kreu një akt të tillë të paparalajmëruar dhe kjo është ajo që i mundon më shumë”.

I pyetur për rrethanat e vdekjes së trajnerit të Uellsit, agjenti shtoi: “Gruaja e tij Louise siguron me sinqeritet që nuk kishin patur asnjë problem së fundmi. Ajo është më e tronditura dhe më e befasuara nga të gjithë. Deri në ditën e vetvrasjes, nuk ka patur asnjë të dhënë për mundësinë që ai të ishte duke vuajtur nga ndonjë problem depresioni”. /albeu.com/
Shtuar më 30/11/2011, ora 09:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori