Uzuni poston foton me Ronaldon: Kurrë mos hiq dorë nga ëndrrat, ato mund të bëhen realitet
Kjo ka qenë padyshim një nga javët më të lumtura të karrierës futbollistike për Myrto Uzunin.

Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, në ndeshjen e tij të parë si titullar në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve, arriti të shënonte të martën kundër një skuadre si Juventusi.


Një gol që e ka entuziazmuar shumë, por jo aq sa takimi në fund të ndeshjes me lojtarin që ai ka idhull, Kristiano Ronaldon, të cilit i mori edhe fanellën. Vetë futbollisti ka postuar me krenari fanellën e tij dhe “trofeun” e Ronaldos, si edhe momentin kur po largoheshin të dy nga fusha e lojës në fund të sfidës.

Uzuni kishte një mesazh për të gjithë ndjekësit e tij që të vazhdonin të insistonin për të bërë realitet ëndrrat e tyre, siç kishte bërë ai në natën e të martës.

“Kjo foto dhe ky moment do të mbeten në memorien time gjatë të gjithë jetës, si një moment kur kthen ëndrrat në realitet.

Unë jam i lumtur që kam luajtur kundër idhullit tim CR7, lojtari më i mire në botë, shënova kundër skuadrës së tij dhe mora fanellën e tij në fund të ndeshjes… nuk ka fjalë për ta përshkruar çfarë po ndjej, e vetmja gjë që mund të them është…

Kurrë mos hiq dorë nga ëndrrat e tua, lufto për to me gjithçka që ke. Ëndrrat bëhen realitet dhe unë kam punuar shumë gjithmonë dhe kam besuar se mund t’ia dal”, shkruante sulmuesi i përfaqësues shqiptare.


Shtuar më 26/11/2020, ora 18:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori