Valon Berisha mungon në miqësoren ndaj Shqipërisë
Pëlqej
Mesfushori i Salzburgut, Valon Berisha do të mungojë sërish në miqësoren që Kosova do ta luajë kundër Shqipërisë, më 29 maj në Zyrih.

Berisha ka munguar edhe në dy ndeshjet e kaluara miqësore kundër Burkina Fasos dhe Madagaskarit, që do të thotë se i duhet të presë ende për t’u njoftuar me idetë dhe punën e përzgjedhësit, Bernard Challandes.

Ai ka bërë të ditur për mediat se nuk do të jetë në miqësoren e konfirmuar tashmë kundër Shqipërisë, më 29 maj në Zyrih, por as në miqësoren e mundshme me Bregun e Fildishtë, pasi vuan nga lëndimi i kyçit të këmbës.

Valon Berisha është shpallur dy vite radhazi futbollisti më i mirë i Kosovës nga FFK, derisa sivjet ka qenë ‘motori’ i Salzburgut në arritjen deri te titulli i kampionit në Austri, por edhe në rrugëtimin deri në gjysmëfinale e Europa Leagues ku u eliminuan nga Marseille.

Paraqitjet e mira të 25-vjeçarit në këtë edicion kanë zgjuar interesimin e shumë klubeve evropiane dhe ka gjasa që ai gjatë afatit kalimtar të ndërrojë skuadër dhe kampionat. /albeu.com/
Shtuar më 21/05/2018, ora 23:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori