Valverde nuk e ka mendjen te e ardhmja e Vidal
Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ka thënë se ai nuk është duke menduar për mundësinë që Arturo Vidal të largohet nga kampionia në fuqi e Spanjës, mes spekulimeve për një transferim të mundshëm në Inter dhe Manchester United.

Arturo Vidal e ka humbur vendin e tij në skuadrën e Barcelonës që nga ardhja e Frenkie De Jongut nga Ajaxi, duke i shtuar kështu spekulimet për një largim të tij nga Camp Nou, ku ai ka luajtur si titullar vetëm katër herë këtë sezon, transmeton Gazeta Express.

32-vjeçari Vidal ka qenë i përfolur veçanërisht për një ribashkim me ish-trajnerin e Juventusit, Antonio Conten, në Inter, përderisa thuhet se edhe Manchester Unitedi ka shprehur interesim për mesfushorin kilian.

Valverde i komentoi këto spekulime gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës kundër Atletico Madridit në Arabi Saudite – konferencë kjo që u shty për pak kohë, pasi që autobusi i Barcelonës humbi në Jedah.

“Ne nuk po mendojmë për kalimin e tij në ndonjë skuadër. Do ta shohim të enjten. Në parim, ai do të jetë me ne. S’ia kam idenë”, ka thënë Valverde.

Kur u pyet sërish për interesimin nga Anglia dhe Italia për kilianin, Valverde u përgjigj: “Arturo Vidal do të luajë për ne dhe nesër ai do të jetë në fushë ose në bankën rezervë”.

“Ne nuk u kushtojmë rëndësi klubeve të tjera që interesohen për lojtarët tanë”.

Vidali e la kampionin në fuqi të Bundesligës, Bayernin Munichun, për t’iu bashkuar Barcelonës në vitin 2018 dhe kiliani, që nga atëherë, ka arritur ta fitojë titullin e La Ligës dhe Superkupës së Spanjës.
Shtuar më 09/01/2020, ora 11:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori