Valverde: United nuk dorëzohet kurrë
Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, e pret një sfidë të bukur, por të vështirë, kur skuadra e tij do të përballet me Manchester Unitedin në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve.
Shorti i së premtes bëri që finalet e viteve 2009 dhe 2011 të Ligës së Kampionëve të kthehet përsëri në ekranet e tifozëve të futbollit, por këtë herë në fazën e çerekfinaleve.

Një Manchester United i goditur nga lëndimet e përmbysi rezultatin ndaj Paris Saint-Germainit dhe skuadra e Ole Gunnar Solskjaer po e vazhdon formën e mirë që nga ardhja e norvegjezit në pozitën e trajnerit.

Në anën tjetër, Barcelona e shkatërroi Lyonin me rezultat 5:1 në ndeshjen kthyese dhe e siguroi një vend në çerekfinalet e këtij sezoni, pasi kishin barazuar pa gola në ndeshjen e parë kundër francezëve.

Dy ndeshjet mes Manchester Unitedit dhe Barcelonës priten të jenë mjaft interesante, pasi skuadra e Valverdes është në kërkim të një triolete këtë sezon. Katalonasit janë liderë në La Ligës dhe janë në finale të Kupës së Mbretit.

"E vështirë, por ne e dinim se çfarëdo shorti në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve do të ishte i vështirë. Të gjitha skuadrat kanë shpresa të mëdha dhe e meritojnë të jenë aty ku janë", ka thënë Valverde.

"United është një klub botëror historik, ashtu jemi edhe ne. Është një sfidë e bukur, por e vështirë. Ata janë duke i siguruar disa rezultate të mira për momentin, kështu që është një përballje e hapur dhe që të dyja skuadrat mund të fitojnë”. “Ata e siguruan një rezultat shumë të mirë kundër PSG-së, kështu që duhet të jemi të kujdesshëm. Ata nuk dorëzohen kurrë. Kishin shumë lëndime kundër PSG-së, të cilat nuk besoj se do t’i kenë kundër nesh. Kjo është një ndeshje të cilën mezi po e pres". /albeu.com/
Shtuar më 16/03/2019, ora 22:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori