Van Gaal: Cilët largohen? Do flas pas turit
Pëlqej
Louis van Gaal tashmë e ka të qartë e të plotë imazhin e Manchester United që ka në dispozicion. Brenda pak ditësh, trajneri holandez do të ulë rreth vetes 25 lojtarë për t’i komunikuar gjithsecilit nëse e ka apo jo të ardhmen në Old Trafford. Gjatë turit amerikan, United regjistroi fitore morali kundër Los Angeles Galaxy, Romës, Interit dhe Realit, megjithatë Van Gaal është ende i pakënaqur me disa aspekte të skuadrës.

Hernandez, Kagawa dhe Zaha rrezikojnë të përballen me një të ardhme të pasigurt, ndërkohë që mund t’u tregohet dera edhe dy të tjerëve, Fellaini dhe Anderson.

Sidoqoftë Van Gaal dëshiron të tregohet i drejtpërdrejtë me çdo futbollist, duke ia bërë të qartë se çfarë ka në mendje para fundit të sezonit.

"Pas turit do të them konkluzionet që kam arritur. I kam lënë lojtarët të luajnë, kështu që tani i njoh më mirë se më parë. Në futboll duhet t’u japësh shanse çdo lojtari dhe pastaj duhet t’i gjykosh", rrëfeu holandezi, por pa dhënë ndonjë detaj në lidhje me vendimet që do të marrë.

Më tej Van Gaal nënvizoi se koha e duhur për t’u komunikuar lojtarëve vendimet e tij është para 31 Gushtit, domethënë para fundit të merkatos. Në lidhje me dëmtimin e Van Persie, trajneri i United nuk beson se sulmuesi mund të jetë gati në kohë për takimin e parë të sezonit të ri, që fillon më 16 Gusht kundër Swansea. /albeu.com/
Shtuar më 04/08/2014, ora 09:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori