Van Gaal largohet me nder
Luis Van Gaal
Louis van Gaal është i vendosur të largohet me nder nga Bayern Munichu në fund të sezonit. Trajneri holandez tashmë është njoftuar se kontrata e tij do të ndërpritet para kohës nga gjiganti bavarez.

Edhe pse udhëhoqi skuadrën drejt finales në Ligën e Kampionëve si dhe fitoi Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë në sezonin e kaluar, 59-vjeçari do të braktisë Allianz Arenan, pas rezultateve dëshpëruese këtë edicion.

Bayern aktualisht gjendet në pozitën e pestë në ligë, me 19 pikë disavantazh ndaj liderit Borussia Dortmund. “Shpresoj të largohem nga ky klub nga dera kryesore, dua të largohem me krenari të paluhatur”, tha ish-selektori i Holandës për të përditshmen sportive gjermane Bild.

“Është me rëndësi për krenarinë time si trajner. Tashmë kam lënë pas vetes një vit të shkëlqyeshëm, por ende dua t’i arrij këto objektiva”, shtoi ai. Ekipi i Van Galit takohet me kampionin aktual të Evropës, Inter, të martën dhe ka epërsi 1-0 nga ndeshja e parë në Giuseppe Meazza dhe synon të kualifikohet në çerekfinale të garës.

“Sigurisht se jam i dëshpëruar, më pëlqen kultura, i dua tifozët, por mendoj se është mirë për të dyja palët që të largohem. Kemi filozofi të ndryshme. Mendoj të pushoj për një vit e më pas të udhëheq përsëri një kombëtare. Do të ishte sfidë e mirë për mua, do ta konsideroja”, përfundoi Van Gaal.
Shtuar më 14/03/2011, ora 11:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori