Varane: Mou dhe Ancelotti nuk mund të krahasohen
Mbrojtësi i Realë Madrid Raphael Varane insiston se Jose Mourinho nuk mund të krahasohet me Carlo Ancelottin, pasi kanë dy stile krejtësisht të ndryshme trajnimi. Italiani zëvendësoi Mourinhon në Santiago Bernabeu gjatë verës me portugezin që u kthye në Premier League te Chelsea pas tre vjetësh në drejtimin e "Los Blancos".

Varane spikati si një pjesë thelbësore e planeve të "Special One" gjatë muajve të tij të fundit në Spanjë, por futbollisti insiston se ai ka një marrëdhënie shumë të mirë dhe me trajnerin e ri Ancelotti, pavarësisht se ish tekniku i Milanit ndryshon shumë nga portugezi.

"Nuk mund të krahasohet Mourinho me Carlon, ata kanë stile shumë të ndryshme. Por unë po shkoj shumë mirë edhe me trajnerin e ri", ka thënë Varane

Talenti francez luajti ndeshjen e tij të parë pas 5 muajsh në mesjave kur u aktivizua kundër Copenhagen në Champions League, dhe francezi e pranon se ishte një proces i dhimbshëm rikuperimi pas ndërhyrjes kirurgjikale në gju.

"Ishte një operacion shumë delikat, që ndryshoi edhe mënyrën se si vrapoj. Ndaj më duhej të isha i kujdesëshëm dhe të merrja kohën e nevojshme pa u nxituar. Ishte një dëmtim afatgjatë dhe është një kënaqësi e vërtetë të rikthehem dhe të provoj ndjesinë e mirë që të jep aktivizimi në fushë. Ende nuk jam në 100 përqind pasi kam luajtur vetëm një ndeshje. Ka qenë e vështirë. Në moshën 20 vjecare jam shumë i uritur për tu aktivizuar dhe nuk ishte e lehtë që të shikoja që nga ana e fushës. Por tani jam kthyer, jam i lumtur dhe jam gati të luftoj për vendin tim. Gjuri më është përgjigjur mirë dhe nuk kam probleme", ka deklaruar mbrojtësi francez.

Varane u përfshi gjithashtu dhe në listën e të grumbulluarve me përfaqësuesen franceze për ndeshjen me Finlandën dhe tha se është mjaft krenar që do të përafqësoj vendin e tij dhe i lumtur që bën pjesë në planet e trajnerit Didier Deschamps. /albeu.com/
Shtuar më 05/10/2013, ora 17:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori