Vonesa me avionin, rruga "rraskapit" Milanin
Ka nisur me disa probleme transferta e Milanit drejt Barcelonës. Faktikisht, avioni që do ta dërgonte skuadrën kuqezi në Spanjë është nisur me disa orë vonesë, për shkak të grevës së të gjitha kompanive të transportit në Francë. Nisja e skuadrës së Milanit në drejtim të Spanjës ishte parashikuar në orën 14:00 por, për shkak të kësaj greve, ajo u shty.

Kjo vonesë duket se do ta kushtëzojë disi stërvitjen paraprake të kuqezinjve në “Camp Nou”, në prag të ndeshjes kundër Barcelonës. Drejtuesit e Milanit kishin menduar në fillim ta nisnin stërvitjen në orën 18:00, por nga kjo anomali e detyron formacionin e “Djallit” të përgatitet një orë më pak. Pavarësisht vonesave udhëtimi “alla odise” i formacionit kuqezi ka përfunduar në aeroportin spanjoll në orën 19:00.

Gjatë këtij udhëtimi, i cili ka zgjatur rreth 1 orë e gjysmë, morali i skuadrës ka qenë i lartë. Në veçanti sulmuesi kuqezi Alexandre Pato është dukur shumë i lumtur dhe për gjatë të gjithë udhëtimit ka folur me trajnerin e Milanit, Massimiliano Allegri.

Këtë udhëtim skuadrën kuqezi e kanë ndjekur edhe gazetarët italianë, të cilët bëjnë të ditur se kuqezinjtë duken të karikuar në maksimum, madje Ibrahimoviç, Robinho dhe Seedorf kanë thurur skema në avion, megjithëse ky veprim nuk i ka shpëtuar trajnerit të “Djallit”, i cili teksa dëgjonte dhe ndiqte me vëmendje shpjegimin e Seedorf, miratonte me kokë.

Pra, nuk përjashtohet mundësia që Milani të shënojë në Camp Nou falë një skeme në të cilën do të marrin pjesë Ibra, Robinho dhe Seedorf. /albeu.com/
Shtuar më 03/04/2012, ora 10:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori