Watzke: Bayerni, 50 vjet para Borussias
"Bayerni është 50 vjet përpara Borussias së Dortmundit". Kjo duhet besuar pasi e thotë vetë Shefi Ekzekutiv i verdhezinjëve, Hans-Joachim Watzke. Ai nuk beson se skuadra e tij do ta arrijë nivelin e rivalëve nga Bavaria për një kohë të gjatë, pavaraësisht se Borussia do të luajë për një biletë në 1/8-at e Champions League.

"Arritjet e Bayern Munchen janë të paarritshme nga ne për të paktën 20 vitet e ardhshme, por në terma sportivë ata janë 50 vjet përpara nesh. Gjithsesi, në kemi arritur mes 8 më të mirëve të Europës për dy sezone rresht dhe unë besoj se një gjë e tillë do të ndodhë edhe këtë herë", ka thënë Watzke.

Me Borussian që mungon në garën për titullin kampion, Bayerni duhet t'i bëjë llogaritë me Wolfsburgun që mbetet 8 pikë larg por me afrimin e Andre Schurrles bëhet një kundërshtar që duhet marrë parasysh.

"Wolfsburgu ka burime të mëdha financiare. Kur ata i marrin gjërat seriozisht mund të thyejnë çdo kufi. Edhe ne mund t'ia lejojmë vetes një transferim të shtrenjtë si ai i Schurrles, por këtë nuk mund ta bëjmë shpesh herë", vijoi drejtuesi i Dortmundit.

Pozita e trajnerit Jurgen Klopp në "Signal Iduna Park" nuk ka qenë aspak komode gjatë këtij sezoni. Tifozeria shpërtheu pas humbjes me Augsburgun por suksesi 3-0 në transfertën e Freiburg ka rikthyer qetësinë në skuadër.

"Ndaj trajnerit Klopp nuk ka pasur asnjëherë ultimatum dhe as që mund ta imagjinoj që ai mund të dorëhiqet. Ne besojmë shumë tek njëri-tjetri", përfundoi Hans-Joachim Watzke. /albeu.com/
Shtuar më 13/02/2015, ora 11:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori