Wenger: Ozil më driblues se Zidane
Jemi mësuar me vlerësimet e veçanta të Arsene Wenger. Trajneri i Arsenalit që vetëm pak ditë më parë cilësoi Zlatan Ibrahimoviç si më të mirë për momentin se Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, rikthehet me një tjetër krahasim të destinuar të krijojë përshtypje, duke deklaruar se Mesut Ozil është më i mirë në driblim se një legjendë e futbollit, Zinedine Zidane, edhe pse thotë se të dy ndajnë një kualitet special.

Futbollisti i kombëtares gjermane ka impresionuar që kur u transferua te "Topçinjtë" për 50 milionë euro nga Real Madrid dhe tekniku i Arsenal pretendon se potenciali i mesfushrit është i ngjashëm me atë të ish yllit të Francës.

"Ozil ka një cilësi të vecantë, ai gjithmonë merr vendimet e duhura në mënyrën më të shpejtë. Ozil është pak më mirë në driblim se sa Zidane. Ata që të dy kanë të njëjtën formë teknike por dhe karakter të ngjashëm për sa i përket përulësisë", është shprehur tekniku i Arsenal.

Wenger zbuloi se Arsenali ishte duke konkuruar me Paris Saint Germain, për të nënshkruar me Ozil gjatë verës dhe beson se interesimi që ai vetë kishte treguar për 25 vjeçarin në të kaluarën influencoi në vendimin e tij për tu transferuar në Premier League.

"Verën e kaluar kontakti i parë ishte në shtëpinë time. Ai mori një vendim brenda 24 orëve. Pastaj na mbetej vetëm për të formalizuar transferimin. Unë u përpoqa ta merrja Ozil që para se ai të shkonte te Reali, në vitin 2010, dhe që në atë kohë më kishte thënë se ai do të kishte dashur të vinte te ne. Edhe Paris Sent Germain interesohej për të verën e kaluar, dhe avantazhi që unë kisha ishte se unë kisha kontaktuar me të që para se të shkonte te Reali", përfundoi Arsene Wenger. /albeu.com/
Shtuar më 03/11/2013, ora 16:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori