Wilder apo Fury? Joshua tregon se cili do të fitojë
Anthony Joshua beson fuqishëm se Deontay Wilder do ta mposhtë Tyson Furyin në meçin e kategorisë së rëndë në boksin profesionist sonte në Los Angeles.

I pyetur drejtpërdrejt se kush do të triumfojë, Joshua tha: “Patjetër, patjetër Wilder”.

“Them Wilder sepse unë luftova ndaj Klitschkos, i cili kishte pushuar 16 apo 17 muaj. Ai tha se pushimi i kishte bërë mirë sepse kishte stërvitur gjatë tij dhe kishte revitalizuar trupin. Ai kishte stërvitur dhe kështu e kishte mbajtur aktiv trupin. Më pas ai luftoi me mua”, deklaroi Joshua.

“Por, për faktin se unë isha aktiv mbase, unë ia dola ta ndal në rundin e 11-të. Kjo luan rol të madh në boks”, tregoi ai.

Pas fitores ndaj Klitschkos në Dusseldorf më 2015, Tyson Fury pushoi dy vite e gjysmë larg ringut të boksit.

“Tani e kemi Fury, i cili ka pasur një pushim të gjatë, i cili nuk ka stërvitur, e ka bërë të kundërtën, dhe tani do të luftojë ndaj një luftëtar të kampionatit. Prandaj, historia do të përsëritet”, tha Joshua.

“Unë mendoj se Fury do të humbasë, Wilder do të fitojë dhe nëse nuk ka kontratë për rimeç, atëherë nuk ka arsyeje përse ne të mos luftojmë”, shtoi ai.

Dueli do të zhvillohet në stadiumin “Staples Center” të Los Angelosit dhe pritet të nisë në orën 06:00 të mëngjesit të 2 dhjetorit me orën tonë lokale.
Shtuar më 01/12/2018, ora 19:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori