William mbetet në Londër, por ndryshon fanellë
Willian mbetet në Londër, vetëm se këtë radhë futbollisti brazilian do të zhvendoset nga zona e Fulhamit në Islington, ku ka qendrën klubi i Arsenalit. Kishte kohë që flitej për një largim të mundshëm nga ekipi i Chelsea-t të mesfushorit me tipare sulmuese, që jemi mësuar më së shumti ta shikojmë të luajë në krah, megjithatë tani gjithçka është e konfirmuar.

Willian ra dakord me drejtuesit e Arsenalit për të kaluar në radhët e “topçinjve” për tri sezonet e ardhshme. Lojtari i njohur brazilian arriti më në fund marrëveshjen me drejtuesit e Arsenalit për një pagesë prej 100.000 stërlinash në javë. Të shtunën e ardhshme Willian do të festojë 32-vjetorin dhe në këtë mënyrë futbollisti nga shteti i Sao Paolos u shpërblye me dhuratën më të mirë të mundshme.

Për një pagë të tillë Willian i ktheu shpinën edhe trajnerit Frank Lampard, që këmbënguli me forcë për ta mbajtur në skuadër, por drejtuesit e bluve refuzuan për t’i dhënë brazilianit rrogën që kërkoi, duke e justifikuar vendimin e tyre pikërisht me moshën e madhe të lojtarit brazilian. Krerët e Chelsea-t nuk pranuan për të përmbushur kërkesat e larta të Ëillian Borges da Silva, pavarësisht këmbënguljes së ish-kapitenit legjendar të Chelsea-t Frank Lampard, që në fund dështoi për të bindur hierarkinë e bluve për ta patur akoma lojtarin brazilian si pjesë të skuadrës.

Arsenali ia doli kështu të fuqizohet duke marrë një futbollist si Willian pa shpenzuar asnjë penny. Për hir të së vërtetës më shumë se sa me pagën krerët e Chelsea-t nuk ishin dakord me kohëzgjatjen e kontratës, për shkak të moshës. Willian largohet në këtë mënyrë nga pjesa perëndimore e kryeqytetit britanik, për t’u zhvendosur në Islington, nën urdhrat e trajnerit të ri spanjoll, Mikel Arteta. Ishte pikërisht 38-vjeçari bask ai që ktheu vëmendjen e drejtuesve të “topçinjve” nga Willian, sapo bisedimet ndërmjet brazilianit dhe bluve dështuan për të arritur marrëveshjen për rinovimin e kontratës.

Kalimi i 32-vjeçarit nga Chelsea te Arsenali pritet të bëhet zyrtar në fund të muajit gusht, sidoqoftë Willian do të ketë kohën e mjaftueshme për t’u përshtatur me ekipin e tij të ri, duke patur parasysh faktin që edicioni i ri në Premiershipit do të startojë më datë 12 shtator, megjithëse për hir të së vërtetës sezoni për “gunners” do të fillojë që më datë 29 gusht, në Wembley, në duelin me Liverpoolin, që është i vlefshëm për Superkupën e Anglisë, pra sfidën në Community Shield.
Shtuar më 06/08/2020, ora 20:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori