Wim Suurbier caktohet ndihmës i Arie Haan
Albeu.com
Kombёtarja shqiptare ka gjetur ndihmësin e ri tё trajnerit Arie Haan, dhe ky do tё jetё njё nga legjendat e futbollit holandez, Wilhelmus ("Wim") Lourens Johannes Suurbier.Wim Suurbier do tё fillojё punёn prej së hënës (më datën 6 tetor), kur kombëtarja do të grumbullohet në Budapest, për ndeshjen e radhës, kundër Hungarisё, nё kuadër tё kualifikimeve pёr Kupёn Botёrore 2010.

Edhe pse do qëndrojë pranë kuqezinjve për ndeshjet me Hungarinë (11 tetor) dhe Portugalinë (15 tetor), ai ende nuk ka nёnshkruar kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Bisedimet për qëndrimin në këtë post do të zhvillohen menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve ndërkombëtare, por FSHF-ja siguron se emërimi i tij është 99.9 për qind i sigurt.

“Përzgjedhja e Wim Suurbier është bërë nga vetë trajneri Arie Haan dhe kjo është diçka mjaft pozitive”, kanё thёnë burime pranë FSHF-së pёr mediat shqiptare.

“Kjo bën që mos të ketë shumë probleme për arritjen e akordit. Biseda ka të bëjë më shumë me aspektin teknik dhe me detyrat që zёvendёstrajneri do të ketë”.

Kush ishte Suurbier

Suurbier ka luajtur si mbrojtës anësor në përfaqësuesen holandeze si dhe tek Ajaxi i Amsterdamit në vitet 70-ta. Me klubin më të njohur holandez ai debutoi kur ishte vetëm 19 vjeç dhe luajti me këtë skuadër për 13 vite, përgjatë gjithë periudhës më të lavdishme të Ajaksit, deri në vitin 1977, kur ishte 32 vjeç.

Ai ka fituar edhe tre herё radhazi trofeun mё tё prestigjioz tё Evropёs, Ligёn e Kampionёve. Në pёrgjithёsi numëron shtatё tituj kampion i Holandës (1965-‘66, ‘66-‘67, ‘67-‘68, ‘69-‘70, ‘71-‘72, ‘72-‘73, ‘76-‘77), katёr Kupa tё Holandёs, tre Liga të Kampioneve (1971, 1972 dhe 1973), dy Superkupa të Evropës (1972 dhe 1973) dhe njё Kupë Interkontinentale (1972). (TCH)
Shtuar më 04/10/2008, ora 18:07
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori