Xabi: Nuk më largoi Reali, e vendosa vetë
Pëlqej
Vetëm pak orë pas zyrtarizimit të kalimit të tij tek Bayern Munchen, Xabi Alonso i dha lamtumirën Real Madrid nëpërmjet një konference për shtyp. Mesfushori spanjoll firmosi një kontratë 2-vjeçare me kampionët e Gjermanisë, ndërkohë që Bayerni derdhi në arkat e "Los Blancos" 10 milionë euro për të marrë shërbimet e futbollistit 32-vjeçar.

Në fjalët e para të Alonsos nuk munguan falënderimet për skuadrën dhe drejtuesit, ndërkohë që mesfushori theksoi se vendimi për lënë Realin ishte shumë i vështirë për tu marrë nga ana e tij.

"Dëshiroja të tregohesha i ndershëm me Real Madrid, dhe për ta bërë dicka të tillë duhet të dish kur të thuash lamtumirë. Ishte një vendim shumë i vështirë për mua. Dua të falënderoj presidentin dhe drejtorin e zonës sociale Jose Luis Sanchez për gjithçka kanë bërë për mua. Dua të falënderoj gjithashtu tre trajnerët që kam pasur këtu, Pellegrinin, Mourinhon dhe Ancelottin, pasi më kanë lejuar të përmirsohem si futbollist. Nuk mund të rresht së falënderuari shokët e skuadrës pasi pa ata nuk mund të kishim fituar asgjë. Është e vërtetë që nuk do të jem më pjesë e këtij ekipi, por kurrë nuk do të ndaloj së qeni pjesë e familjes së madhe madrilene", është shprehur Xabi Alonso.

Bayern Munchen do të jetë skuadra e pestë në karrierën e Xabi Alonsos pas Real Sociedad, Eibar, Liverpool dhe Real Madrid. 32-vjeçari bask e pranoi se një rol të rëndësishëm në vendimin e tij për tu transferuar në Gjermani e pati trajneri Pep Guardiola, ndërkohë që theksoi se afrimi i Toni Kroos te Reali nuk kishte të bënte aspak në këtë zgjedhje të tijën.

"Me Pep Guardiolën do të mësoj shumë gjëra. Gjatë këtyre viteve kam patur trajnerë të shkëlqyer. Po shkoj te Bayerni që është një klub i madh dhe që lufton gjithmonë për të fituar gjithçka. Kroos? Ai është një futbollist i madh, besoj se do të kishim luajtur shumë minuta sëbashku. Mbërritja e tij tek Reali nuk kishte të bënte aspak në vendimin tim për tu larguar. Po iki për te Bayerni sepse jam në kërkim të një sfide të re", përfundoi mesfushori bask. /albeu.com/
Shtuar më 29/08/2014, ora 15:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori