Xhaka tregon të vërtetën për interesimin e Interit
Granit Xhaka i ka mohuar spekulimet se ai do të transferohet në Inter gjatë këtij afati kalimtar të verës, pasi që Arsenali ka mbetur jashtë sezonit të ardhshëm të Ligës së Kampionëve për të tretin vit radhazi.

Granit Xhaka është i pranishëm në Prishtinë pasi që ishte njëri ndër yjet që morën pjesë në "Lojën e Yjeve" në Prishtinë, e cila ishte organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe Komuna e Prishtinës për bamirësi.

Gjatë kësaj ndeshje, Xhaka e shënoi njërin nga tetë golat në "Fadil Vokrri" dhe atë e festoi duke e bërë shqiponjën me duar.

Pas kësaj ndeshjeje, e cila përfundoi me rezultat 4:4, ku u përball skuadra e Xhakës me atë të Milot Rashicës, Xhaka bëri të ditur se nuk ka asgjë të vërtetë në spekulimet se ai do të transferohet në Inter.

"Është diçka për të cilën gazetat kanë shkruar, por nuk ka asgjë të vërtetë. kurrë nuk kanë pasur kontakt me Interin, ato janë vetëm spekulime", u shpreh Xhaka.

Afati kalimtar i verës do të hapet më 1 korrik dhe Interi tanimë ka filluar punën për ta përforcuar skuadrën gjatë verës. I fundit që ishte lidhur me një transferim në Inter ishte pikërisht Xhaka.

Interi pritet të bëjë shumë investime gjatë verës, veçanërisht për ta përmirësuar repartin e mesfushës. Drejtorët e klubit ëndërrojnë për Toni Kroosin, Ivan Rakiticin e Tanguy Ndolbelen. Së fundi kësaj liste i është shtuar edhe Xhaka.

E përditshmja italiane, Corriero dello Sport, pretendon se Xhaka mund të transferohet në Inter këtë verë, përkundër që Arsenali nuk dëshiron ta lejojë largimin e tij.

Për më tepër, kontrata e Xhakës me Arsenalin, e cila u rinovua vitin e kaluar, është e vlefshme deri në qershor të vitit 2023. Por, kjo kontratë besohej se nuk po i ndal drejtorët e Interit të interesohen për mesfushorin dhe ata janë të gatshëm t’i shpenzojnë deri në 50 milionë euro për të.
Shtuar më 15/06/2019, ora 23:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori