Yjet qe nuk shkelqyen ne Boteror
Albeu.com
Wayne Rooney, pastaj Ronaldo e më pas Lionel Messi. Këta futbollistë është dashur të shkëlqenin në kampionatin botëror "Afrika e Jugut 2010". Këta tre futbollistë së bashku në edicionin e fundit në klubet e tyre kanë shënuar 114 gola.Mirëpo, të tre futbollistët janë larguar nga Afrika e Jugut me vetëm një gol të shënuar në 13 ndeshje të zhvilluara.

Wayne Rooney është munduar në të gjitha mënyrat, por dështoi të shënonte gol para se Anglia të eliminohej nga Përfaqësuesja e Gjermanisë.

Cristiano Ronaldo shënoi një gol për Portugalinë që nuk ishte shumë i rëndësishëm, ndërsa nuk u angazhua fare para se përfaqësuesja e tij të eliminohej nga Spanja. Edhe Ronaldo, sikurse Rooney, eliminimin e përjetuan në ndeshjet e 1/8 të finales së Botërorit 2010.

Lionel Messi nuk arriti të prodhonte magjinë e tij kur pritej - kundër Gjermanisë - dhe kështu pas çerekfinales paketoi valixhet dhe u kthye në shtëpi.

Të tre futbollistët 25-vjeçarë apo më të rinj llogariten si më të mirët në botë, ndërsa në Afrikën e Jugut ishin dështimi më i madh.

Për Rooneyn duket se ka pasur probleme me lodhjen dhe lëndimet e gjurit dhe nyjës gjatë dy muajve të fundit te ekipi i Manchester Unitedit.

Mirëpo, megjithatë, sulmuesi 24-vjeçar pati një edicion fantastik dhe ishte i pandalshëm pasi arriti të shënonte 34 gola në të gjitha garat. Ai bëri që mungesa e Cristiano Ronaldos, që u transferua te Real Madridi të mos vërehej fare.

Goli i vetëm i Ronaldos në Botëror në fitoren 7:0 kundër Koresë së Veriut ishte pak për një futbollist që llogaritej si shpëtimtar i Portugalisë.

Edhe me shiritin e kapitenit, Ronaldo 25-vjeçar, bëri shumë pak për të motivuar ekipin. Ai shumë rrallë është kthyer në mbrojtje, ka humbur topin duke u munduar të driblonte dhe ishte vetëm hije e futbollistit që ishte pritur të jetë.

Kontribut i vogël erdhi edhe nga Lionel Messi për Argjentinën. Messi në edicionin e fundit arriti të shënonte hiq më pak se 47 gola dhe të fitonte titullin e Spanjës me Barcelonën.

Sulmuesi 23-vjeçar vazhdimisht është kritikuar se nuk po jep maksimumin për Argjentinën sikurse te Barcelona, dhe kjo u pa në një masë në Afrikën e Jugut.

Diego Maradona e quajti Messin si pasardhës të tij. Mirëpo, Messi në Botërorin e tij të dytë nuk arriti të gjente rrugën e golit dhe totalisht dështoi në demolimin 4:0 nga Gjermania.

"Kam parë Messin duke qarë në zhveshtore. Kush thotë se ai nuk ndihet krenar me fanellën e Argjentinës është budalla i madh", ka thënë Maradona.

Rooney, Ronaldo dhe Messi nuk ishin të vetëm në Afrikën e Jugut.

Karvanit të tyre i bashkohet edhe mesfushori Leite Kaka nga Përfaqësuesja e Brazilit. Plejmejkeri 28-vjeçar para tre vjetëve ishte votuar si futbollisti më i mirë në botë, por në Botëror erdhi pas një edicioni të dështuar te Real Madridi pasi kishte rol defansiv pas Ronaldos dhe pati shumë lëndime.

Samuel Eto'o i Kamerunit dhe Didier Drogba i Bregut të Fildishtë kanë fituar çmimin e futbollistit të vitit në Afrikë pesë herë në shtatë vitet e fundit. Me ngarkesën që e kishin mbi vete, asnjëri nuk ka mundur të dërgonte ekipin e tij jashtë fazës grupore.

Eto'o pas transferimit nga Barcelona te Interi erdhi në Afrikën e Jugut me shpresa të mëdha, pasi për dy vjet rresht fitoi si me Barcelonën ashtu edhe me Interit nga tre tituj. Ai shënoi dy gola në Botëror, por Kameruni ishte ekipi i parë që u eliminua.

Drogba theu dorën e djathtë para Botërorit, por krejt çka bëri ishte vetëm një gol në ndeshjen e fundit të grupit me Brazilin (3:1).

Ka pasur edhe futbollistë të tjerë që janë goditur nga lëndimet. Gardiani italian Gianluigi Buffon ka luajtur vetëm një pjesëlojë në ndeshjen më të dobët të Italisë që prej vitit 1974, derisa Franck Ribery ka dështuar të shkonte hapave të Zinedine Zidanet me Francën pas lëndimeve që e përcollën te Bayern Muncheni.

Fernando Torres i Spanjës ka ende gjasa. Sulmuesi 26-vjeçar nuk është në formën e tij që kur është rikthyer nga operimi i gjurit që e pati në muajin prill, por ekipi i tij ka arritur në gjysmëfinale të Botërorit. Më i merituari për këtë është sulmuesi David Villa që ka shënuar pesë gola dhe aktualisht është golashënuesi më i mirë në Afrikën e Jugut.

"Është një turne shumë i vështirë për mua, sepse ende nuk jam i gatshëm plotësisht, por jam duke përparuar nga ndeshja në ndeshje", është shprehur Torres.

Edhe Diego Forlan ka bërë me dije së dëshiron të jetë në mesin e shënuesve më të mirë. Ai shënoi gol nga gjuajtja e lirë për të mbajtur Uruguain, i cili pas penalltive ndaj Ganës siguroi gjysmëfinalen.

Një sulmues tjetër që po shkëlqen është Miroslav Klose, që duket se nuk është ai që te Bayern Muncheni në edicionin e fundit ka pasur rolin e zëvendësuesit. Duket se pushimi në pankinë i ka bërë mirë, pasi ai ka shënuar katër gola në Botëror, një më shumë se komplet në edicionin e fundit në Bundesligë.

Një grup i futbollistëve të rinj gjithashtu kanë lënë vulën e tyre në këtë Botëror. Holanda është avancuar nga mbrojtësi i djathtë Gregory van der Wiel 22-vjeçar, derisa Luis Suarez 23-vjeçar ka shënuar tre gola për t'i ndihmuar Uruguait të jetë në mesin e katër ekipeve më të mira.

Përfaqësuesja e Gjermanisë duket se ka dy futbollistët e rinj më të mirë deri më tani. Bëhet fjalë për Mesut Oezilin 21-vjeçar dhe Thomas Muellerin 20-vjeçar.

Oezil është futbollist i kompletuar dhe duket sikur një Kaka i ri, ndërsa Mueller deri tani ka qenë ylli i Botërorit 2010. Pas vetëm një edicioni me ekipin e parë të Bayernit në Bundesligë ka shënuar për Gjermaninë katër gola dhe është futbollisti kryesor i ekipit. Ai pati gisht në fitoret e thella kundër Anglisë 4:1 dhe Argjentinës 4:0.

Mueller do të jetë i suspenduar për ndeshjen gjysmëfinale kundër Spanjës.

"Do të jetë humbje e madhe mungesa e tij", ka thënë seleksionuesi gjerman, Joachim Loew.

Mueller ndoshta nuk ka energjinë e Rooneyt, shpejtësinë e Ronaldos dhe elegancën e Messit, mirëpo ai deri më tani ka qenë futbollisti më i rrezikshëm i Kampionatit Botëror "Afrika e Jugut 2010". (koha)
Shtuar më 06/07/2010, ora 14:34
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori