Ylli i Barcelonës e pranon: Jemi të katandisur, të inatosur dhe të mllefosur
Sulmuesi i Barcelonës, Antoine Griezmann, ka thënë se ai dhe bashkëlojtarët e tij janë të katandisur, të inatosur dhe të mllefosur, pas humbjes kundër Athletic Clubit në finale të Superkupës së Spanjës.

Athleticu e mposhti 3:2 Barçën në një ndeshje që shkoi në kohën shtesë, ku kapiteni i katalonasve Lionel Messi u ndëshkua me karton të kuq të dielën në Sevilla.

Në çastet e fundit të kohës shtesë, Messi e goditi me duar Asier Villalibren pas një pasimi dhe duke vrapuar përpara, duke e dëshmuar zemërimin që Barça e ndjente pasi e lëshoi dy herë nga dora epërsinë në kohën e rregullt.

Griezmanni shënoi dy herë për epërsinë e Barcelonës, por skuadra baske u rikthye në të dy rastet për ta barazuar rezultatin përmes Oscar de Marcosit dhe Villalibres.

Iniaki Williamsi e shënoi golin e trofeut të parë për Atheltic Clubin që prej vitit 2015.

"Si mendoni ju që jemi ne?" u përgjigj Griezmanni kur u pyet se si u ndie Barça pas humbjes.

"Jemi të katandisur, të inatosur dhe të mllefosur. Kur e humb një finale, këto janë të gjitha ndjesitë e këqija që i ke", shtoi ai.

"Ne nuk u mbrojtëm mirë, nuk komunikuam me njëri-tjetrin. Dhanë gjithçka deri në minutën e fundit dhe pastaj ndodhi çfarë ndodhi. Ne bëmë gabime në strategjinë tonë dhe për këtë duhet të punojmë gjatë javës", theksoi ai.
Shtuar më 18/01/2021, ora 11:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori