Ylli i ri i Kosovës
Albert Bunjaku, Samir Ujkani e Loret Sadiku janë prurjet më të mëdha në ndeshjen e parë miqësore të Përfaqësueses së Kosovës ndaj Haitit. Por, afrime të reja priten edhe për dy ndeshjet e rradhës miqësore ndaj Turqisë dhe Senegalit.

Sipas asaj që shkruan "Zëri", Ylli Sallahi mund të jetë afrimi i madh në skuadrën e Albert Bunjakut, gjë që e konfirmon edhe vetë tekniku i Kosovës.

Talenti i Bayern Munchen është në kontakte të vazhdueshme me Albert Bunjaku prej disa kohësh. Ky i fundit ia ka hapur dyert 19-vjeçarit me pasaportë të Austrisë, ndërsa ka mbetur që brenda pak ditëve Sallahi t’i japë një përgjigje Bunjakut, ndërsa pritet që në ditët në vijim djaloshi me pasaportë austriake të japë përgjigjen përfundimtare.

"E vërteta është se jemi në kontakte të vazhdueshme, posaçërisht me babanë e Yllit. Disponimi i tyre është mjaft pozitiv, andaj po e presim një përgjigje përfundimtare. Por, përgjigja e tij varet shumë nga një lëndim që po e mundon futbollistin. Shpresoj që ai të mundë të përgjigjet pozitivisht dhe të vijë për të luajtur në këto dy ndeshje", është shprehur Bunjaku për "Zërin".

Edhe në rast se Sallahi nuk do të mund t’i bashkohet Kosovës në dy ndeshjet e majit, ai do të jetë edhe në të ardhmen në planet e Bunjakut.

Ardhja eventuale e Sallahit do të ishte e mirëseardhur për Bunjakun, posaçërisht për faktin se në miqësoret ndaj Turqisë e Senegalit, nuk do të mund të llogaritë në shërbimet e disa lojtarëve të rëndësishëm që i kishte në dispozicion në miqësoren e 5 marsit kundër Haitit. Kapiteni Anel Raskaj, sulmuesit në formë, Ilir Azemi e Shpëtim Hasani, po ashtu Flamur Kastrati, Ardian Gashi e Avni Pepa do të mungojnë.

Sallahi më afër Kosovës, sesa Austrisë e Shqipërisë

Tashmë është e qartë se mbrojtësi anësor, Ylli Sallahi është më afër Kosovës, sesa Austrisë e Shqipërisë. Kuqezinjtë kishin shprehur interesim për talentin e ri, por ky i fundit ua kishte shuar shpresat në FSHF, duke u pajisur me pasaportë të Austrisë. Pavarësisht kësaj, ai ende nuk e ka vesh fanellën e këtij shteti. Ndërsa, më 21 maj ai mund të debutojë me Kosovën kundër Turqisë.

Kush është Ylli Sallahi?

Në vitin 2010 Ylli Sallahi ishte emër i panjohur. Luante në skuadrën e vogël të Ligës së dytë të Austrisë, SV Kapfenberg. Ishte 16 vjeç kur bavarezët kishin parë talentin e tij, duke e transferuar në formë huazimi në "Allianz Arena". Tani ai është në pritje të bëhet pjesë e skuadrës së parë të Bayernit, falë paraqitjeve të mira që i tregoi në fazën përgatitore të skuadrës së Pep Guardiolas, të zhvilluar në janar në Katar. /albeu.com/
Shtuar më 12/05/2014, ora 10:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori