Zanetti tregon arsyen pse nuk mundën të blinin Messin
Lionel Messi kërkoi largimin nga Barcelona këtë verë dhe mediat vërshuan të shpallin klubet kandidate, që mund të bënin të tyrin argjentinasin.

Ndoshta të shtyrë më shumë prej faktit se Ronaldo ishte te Juventusi dhe Messi mund ta sfidonte portugezin te rivalët e Interit, mediat e shndërruan klubin nga Milano në një prej alternativave kryesore, që fituesi i "Topit të Artë" mund të zgjidhte.

Në fund sulmuesi qëndroi te Barcelona, pasi drejtuesit e klubit spanjoll këmbëngulën ta mbajnë deri në mbyllje të kontratës, që përfundon verën e ardhshme.

Tashmë që kjo çështje është mbyllur dhe pritet të hapet verën e ardhshme, ka folur Javier Zaneti, zëvendëspresidenti i klubit zikaltër.

Ai tregon edhe një herë se Messi ishte i paarritshëm për Interin dhe deklaron se pandemia e ka goditur klubin dhe e kanë të pamundur të blejnë nëse nuk shesin më parë lojtarë.

"Blerja e Messit nuk ka qenë kurrë një mundësi konkrete për ne. Është e drejtë që qëndroi te Barcelona. Të gjithë klubet janë ndikuar në aspektin financiar nga shpërthimi i pandemisë, njësoj edhe për Interin. Duhet të shesim lojtarë në fillim, më pas mund të blejmë", tha Zaneti.
Shtuar më 10/09/2020, ora 12:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori