Zaniolo është poshtë psikologjikisht, kërkon të operohet nga mjeku që e shëroi Ibrahimovicin
Krahasuar me dëmtimin e janarit, këtë herë gjithçka është ndryshe për Nicolò Zaniolo.

Nëntë muaj më parë, ylli i Romës nuk u dorëzua asnjë sekondë para vuajtjeve e dhimbjeve, duke mos u dekurajuar. Menjëherë u ngrit mendërisht, me synimin e qartë për t’u kthyer në të njëjtën gjendje si më parë, nëse jo më i fortë.

Dhe në fakt kishte pasur sukses. Por, kësaj here është ndryshe. Dhe është e drejtë fiziologjike që të jetë kështu.

Sepse nuk është normale që një djalë 21-vjeçar të dëmtojë për herë të dytë radhazi ligamentet e gjurit. Këtë herë, Nicolò është me të vërtetë poshtë psikologjikisht.

Igor Zaniolo, babai i Nicolò, tregoi emocionet e djalit të tij për "Gazzetta dello Sport".

"Si është Nicolò? Keq. Ai ka mendime të këqija. Nga ana tjetër është e kuptueshme. Ai është vetëm 21 vjeç dhe natyrisht ka frikë se mos nuk kthehet si më parë. Punoi mirë me klubin dhe me kombëtaren, mendoj se ishte thjesht një fat i keq, sepse në këtë rast nuk e dëmtoi kundërshtari. Nicolo tha se ndjeu një lloj goditjeje si me kamxhik në gju dhe u ndal. Shpresoj që, pas këtyre ditëve të para, të gjejë përsëri energjinë e tij të zakonshme. Psikologjikisht për të, këtë herë është më keq se në janar. Dhe për të rikuperuar aspektin mendor vlen shumë".

Salla e operacionit ishte planikuar tashmë për këtë mëngjes, me Dr.Mariani, por Zaniolo donte të merrte ca kohë dhe të shtynte gjithçka. Sipas "Il Corriere della Sera", lojtari po mendon që ta kryejë ndërhyrjen në SHBA, nga i njëjti mjek, Freddie Fu, që në të kaluarën operoi Zlatan Ibrahimovic me rezultate të shkëlqyera.

Siç është raportuar nga "Repubblica", ndërkohë, Roma do të marrë një rimbursim prej 1 milion euro nga FIFA. Kjo është shuma që mbulon pagën e Zaniolo për tërë kohëzgjatjen e padisponueshmërisë.

Sigurisht, nuk do të jetë ngushëllim i madh për Romën, e cila tani ndoshta do të duhet të kërkojë një zëvendësues. Por, për momentin, klubi mendon mbi të gjitha që të jetë pranë Zaniolo dhe ta inkurajojë atë.
Shtuar më 09/09/2020, ora 10:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori