Zbardhen pesë arsyet se përse Duka nuk e shkarkoi Panuccin
Nuk mund ta bëj bilancin e trajnerit para ndeshjes. Nëse fitojmë me Skocinë, atëherë nuk është dështim”, kështu u shpreh Armand Duka disa ditë më parë. Po çfarë ndodhi? Shqipëria humbi me rezultat të thellë ndaj Skocisë, ama fitoi minimalisht një miqësore me Uellsin. Kaq e rëndësishme të ketë qenë kjo e fundit për të bërë kreun e FSHF-së të ndryshojë mendim rreth Panuccit?

Si për t’u dhënë përgjigje disa dyshimeve, Armand Duka ka konfirmuar Panuccin edhe për kualifikueset. Me anë të një prononcimi për “TV Klan”, numri një i qeverisë së futbollit në vend ka bërë me dije se do të ishte vendim i nxituar largimi i trajnerit. “S’është koha për vendime të nxituara. Panucci ka të mirat e të këqijat e veta. Ne nuk kemi luksin të ndërrojmë trajner, pasi vetëm në mars fillojmë përsëri me ndeshjet zyrtare. Ne mbetemi një skuadër modeste dhe mund të bëjmë mirë nëse të gjithë mbështesim trajnerin dhe stafin për kualifikueset e Europianit”, u shpreh Armand Duka.

Christian Panuccit i është dhënë një shans për të rivënë edhe një herë në jetë projektin e tij me Shqipërinë. Sigurisht, jo atë për të cilin tha vetë se ka qenë i gabuar, por tjetrin, pas 13 ndeshjesh që ekipi ka nevojë të luajë ndryshe. Por "PS" ka zbardhur prapaskenën e vendimit që ka bërë kreun e FSHF-së të ndryshojë mendim dhe të falë trajnerin e përfaqësueses, duke i dhënë vijimësi në punën e tij:

• Së pari, qëndrimi i italianit lidhet me motivet financiare. Trajneri, para dhe pas ndeshjes me Uellsin, ia bëri të qartë se “nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen”. Në të tilla kushte, një shkarkim i mundshëm detyronte FSHF-në ta paguante deri në ditën e fundit të kontratës.

• Së dyti, sepse mori sinjale të forta nga grupi i lojtarëve që janë me të.

• Së treti, sepse Panuçi, në një formë apo një tjetër, i ka lënë të kuptohet se do të heqë dorë nga eksperimentet dhe nga loja sulmuese. Pra, që në të ardhmen do të jetë një Kombëtare me tjetër filozofi, jo më sulmuese deri në aventurë, por deri diku në mbrojtje siç edhe fituam me Uellsin. Pra, të jetë kjo mënyra për të luftuar.

• Së katërti, ishte ideja e imazhit. Pra, Panuçi mund të bëhej trajneri i vetëm në Europë që shkarkohej se doli i fundit në Ligën e Kombeve dhe sigurisht që një fakt i tillë nuk do e ndihmonte Kombëtaren në të ardhmen.

• Së pesti, mbetej me risk që pasi mori konfirmimin e senatorëve se mund të vazhdojnë me trajnerin aktual, të ndryshonte teknikun dhe të niste fushatën e kualifikueseve për Europianin pa pasur një ide të qartë dhe filozofi loje. Pra, nuk dihej se çfarë kërkon dhe premton pasuesi…

• Së gjashti, mori garanci që trajneri do të jetë më i kujdesshëm me faktorët e jashtëm që rrethojnë Kombëtaren, duke nënkuptuar njohje të mentalitetit tonë dhe për këtë do të ketë diçka, ama jo gjithçka, ndryshe.
Shtuar më 22/11/2018, ora 22:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori