Zbulohen prapaskenat e krizës te Skënderbeu
Katër humbje radhazi nuk i hasnin në Korçë që kur për herë të fundit Skënderbeu luftonte për mbijetesë (në sezonin 2009-2010). Në këtë krizë të thellë rezultatesh që as vetë kapiteni i ekipit, Marko Radas, nuk i jep dot shpjegim, duket se nuk ka thjesht arsye teknike dhe të lidhura direkt me formën që po kalon skuadra.

Fakti që pas humbjes me Luftëtarin në Korçë, trajneri Orges Shehi tha “mjaft”, e më pas bëri prapakthehu, pasi presidenti Ardjan Takaj nuk i pranoi dorëheqjen, nuk mund të quhet aspak rastësi.

Gjithçka është akumuluar prej javësh në Korçë dhe nëse rezultatet pozitive mund të fshehin disi problemet në skuadër, tashmë ato negative radhazi duket se i kanë nxjerrë në sipërfaqe. Siç raporton "PS" pranë klubit korçar tregojnë për një raport të ngrirë prej javësh të “senatorëve” të skuadrës me presidentin Takaj dhe gjithashtu trajnerin Shehi.

Nëse me këtë të fundit kanë qenë të detyruar të përballen çdo ditë në stërvitje, ajo që ka krijuar një hendek të madh ka qenë raporti i “veteranëve” si Radas, Vangjeli dhe Muzaka me kreun e klubit. Mësohet se këta të fundit i kanë kërkuar takim Takajt pas ndeshjes me Luftëtarin, por kreu i klubit i ka refuzuar. /albeu.com/
Shtuar më 25/12/2018, ora 16:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori